Drejtësi për Eglin/"Një djalë kisha", flet babai i 42-vjeçarit që u dhunua për vdekje në Pogradec: E vranë brenda lokalit, kush e nxorri jashtë?
Babai i Egli Progës, 42-vjeçarit që dyshohet se u dhunua për vdekje nga Denis Meçe në Pogradec, ka treguar për takimin e fundit me të birin, vetëm një orë para se të ndodhte ngjarja e rëndë. Nazmi Proga rrëfen se kishte biseduar me të birin në lokalin e familjes dhe më pas ishte kthyer në shtëpi."Pas një ore më lajmëruan që të shkoja në spital, ku gjeta djalin tim të vdekur," shprehet ai. Sipas tij,Egli ishte larguar nga lokali i tyre dhe kishte shkuar në një lokal tjetër, ku mendohet se është dhunuar. Babai i viktimës tha se nuk dihet nëse i biri kishte shkuar vetë në lokalin tjetër apo ishte thirrur aty.
Ai shpreh shqetësimin se krimi mund të jetë kryer në atë lokal dhe se nuk dihet kush e nxori Egliun jashtë nga aty, duke sugjeruar se mund të ketë pasur përpjekje për të fshehur ngjarjen.
Nazmi Proga shprehet i zhgënjyer me policinë, duke i akuzuar ata për përpjekje për të fshehur të vërtetën.
Ai thotë se policia fillimisht kishte deklaruar se djali i tij ishte rrëzuar vetë, ndërsa sipas tij, ata vonuan në mbërritjen në vendngjarje dhe në ofrimin e ndihmës së parë.
"Krimi është bërë në atë lokal, dhe djali nuk e dimë kush e nxori jashtë nga lokali, doli vetë apo e nxorën të tjerë për të shpëtuar veten e tyre apo për të mbuluar krimin. Të dalë e vërteta kush e ka goditur, as nuk është rrëzuar dhe as nuk ka pësuar infarkt, se kush e ka vrarë ta nxjerrë shteti," shprehet ai.
Nazmi Proga thekson se familja ka filluar një proces penal për të zbardhur të vërtetën, dhe se nuk dëshiron që çështja të mbyllet pa u ndëshkuar fajtorët.
"Kemi filluar vetë një proces penal ndërkohë që të dalë e vërteta. Unë një djalë kisha, e rrita me mund e me djersë, kishte dy fëmijë për të rritur, e la gruan të ve me halle e probleme. Nuk dua të mbyllet ky muhabet kot më kot. Të vendoset pika mbi i," përfundon ai./gazetatema