Lidhje


Rusia vazhdon evakuimin e banorëve nga rajoni i Kurskut

Zyrtarët në rajonin Kursk të Rusisë kanë urdhëruar të enjten evakuimin e detyrueshëm të banorëve nga i gjithë qarku i Glushkovit.

Guvernatori i rajonit të Kurskut, Aleksei Smirnov, u bëri thirrje të enjten banorëve të qarkut ta “kuptojnë gjendjen e tanishme dhe t’i ndjekin të gjitha udhëzimet e agjencive të sigurisë dhe të autoriteteve vendore”.Të mërkurën, autoritetet në Ukrainë shprehën shqetësim për situatën humanitare në rajonin e Kurskut dhe njoftuan gatishmërinë e tyre për t’i ndihmuar rusët e zhvendosur, përfshirë ata të cilët duan të shpërngulen në Ukrainë.

 

“Ukraina vepron në përputhje me të gjitha normat e ligjit humanitar ndërkombëtar. Ne do t’u ofrojmë mbrojtje të nevojshme dhe mbështetje humanitare civilëve të rajonit të Kurskut”, shkroi në Facebook Ministria ukrainase për Riintegrim.

 

Qarku i Glushkovit ndodhet në afërsi të qarkut të Sudzhas, i cili ka qenë fushëbeteja e luftimeve më të ashpra prej se Ukraina e nisi një inkursion në tokën ruse më 6 gusht. Ky qark kishte një popullsi prej rreth 20.000 banorësh para luftës.

 

Zyrtarët ukrainas pretendojnë se i kanë nën kontroll 74 vendbanime dhe një sipërfaqe prej 1.000 kilometra katrorësh të territorit rus.

 

Pretendimet nga fushëbetejat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

 

Rusia ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme federale në rajonin e Kurskut dhe gjendje të jashtëzakonshme rajonale në rajonin fqinj të Belgorodit. Moska gjithashtu ka shpallur “operacion antiterrorizëm” në rajonet Kursk, Belgorod dhe Briansk./EN

XS
SM
MD
LG