Shqipëria nën morsën e krimit dhe depresionit/Ngjarjet fatale gjatë 24 orëve të fundit
Tuesday, 20 August 2024 13:24
Ngjarjet që kanë ndodhur në Shqipëri brenda 24 orëve të fundit janë shqetësuese dhe tregojnë një rritje të ndjeshme të dhunës në vend. Në një periudhë të shkurtër kohe, janë shënuar pesë ngjarje të rënda kriminale që kanë përfshirë vrasje dhe plagosje të rëndë.
Ngjarja në Memaliaj: 72-vjeçari Faik Ajdini është gjetur i pajetë në një përrua në fshatin Zhapokikë të Memaliajt. Hetimet kanë zbuluar se ai është vrarë me thikë, një akt i tmerrshëm që ka tronditur komunitetin lokal.
Vrasjet në Velipojë: Dy të rinj, Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi, janë vrarë nga dy vëllezërit Eduard dhe Gëzim Frroku, të cilët janë pronarë të një hoteli. Ngjarja ka përfshirë gjithashtu një kamerier të hotelit, Zyber Zagradi, i cili është plagosur dhe është arrestuar më vonë.
Tragjedia në Tiranë: Profesori amerikan Matthew James Werzt, që jetonte prej vitesh në Shqipëri, ka kryer një akt të tmerrshëm duke vrarë gruan e tij nga Indonezia dhe dy qentë e familjes, para se të merrte jetën e tij.
Incidenti me policin në Tiranë: Polici Erjon Goxharra ka qëlluar dhe plagosur Lorenc Kostan, drejtor në ERE, për shkak të një konflikti që lidhet me një lidhje intime të Kostës me gruan e policit.
Vrasja në Mirditë: Frederit Radi është gjetur i vrarë në shtëpinë e tij në fshatin Lajthizë të Mirditës. Vrasja e tij është lidhur me një konflikt mbi kullotat në zonë, dhe trupi i tij është zbuluar nga vajza e tij.
Dy raste të rënda, të dyshuara vetëvrasje, janë regjistruar në Fier gjatë 24 orëve të fundit.
Raportohet se rreth orës 17:30, në fshatin Kashisht, në një hangar në afërsi të banesës së saj, është gjetur nga familjarët, dyshohet e vetëvarur, shtetasja F. K., 59 vjeçe. Po ashtu është gjetur i vetëvarur shtetasi I. T., 66 vjeç, në një kasolle në afërsi të banesës së tij.
Këto ngjarje përbëjnë një valë të paprecedentë të dhunës dhe ngrejnë shqetësime të mëdha për sigurinë dhe rendin në Shqipëri./tvanews