"Izraeli dhe SHBA e përdorin urinë si një mjet presioni politik kundër civilëve në Gaza"
Qeveria në Gaza deklaroi se Izraeli dhe SHBA-ja po e përdorin hapur politikën e urisë dhe privimin nga ushqimi të civilëve në Rripin e Gazës si një mjet presioni politik, transmeton Anadolu.Zyra e qeverisë për media bëri një deklaratë me shkrim në lidhje me deklaratën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken gjatë vizitës së tij në Tel Aviv se "Mënyra më e shpejtë për dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës është arritja e një marrëveshjeje për armëpushim"."Okupimi izraelit dhe administrata e SHBA-së po e përdorin hapur politikën e urisë dhe privimit të ushqimit të civilëve në Rripin e Gazës si një mjet presioni politik. Ky përbën një krim lufte dhe një krim kundër njerëzimit", thuhet në deklaratë.
Qeveria refuzon kategorikisht që armëpushimi të lidhet me sigurimin e ndihmave dhe ushqimit për civilët, fëmijët dhe gratë, të cilin Izraeli ka refuzuar ta zbatojë prej muajsh. Më tej vihet në dukje se lidhja e dy çështjeve është krim që duhet të dënohet.
Ushtria izraelite ka vazhduar të mbajë të mbyllur për 105 ditë pikën kufitare Rafah, të cilën e dogji, e shembi me buldozer dhe e la jashtë funksioni me "dritën e gjelbër" të SHBA-së. Thuhet se ky veprim është përfshirë në inxhinierinë e "krimit të gjenocidit" të kryer nga Izraeli dhe SHBA-ja kundër civilëve në Gaza.
Mbyllja e pikës kufitare Rafah "përkeqësoi fatkeqësinë humanitare në mënyrë të paprecedentë" theksohet në deklaratën ku bëhet ditur se ky është "krim që shkel të drejtën ndërkombëtare dhe humanitare dhe të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare".
Më tej vihet në dukje se parandalimi i hyrjes së ndihmave, ilaçeve, furnizimeve mjekësore dhe delegacioneve shëndetësore në rajon e përkeqësoi edhe më shumë krizën shëndetësore dhe humanitare në Gaza.
Blinken vizitoi Izraelin si pjesë e ndalesës së parë në kuadër të turneut të tij rajonal për të diskutuar shkëmbimin e pengjeve dhe negociatat për armëpushim. Ai zhvilloi vizitën e tij të 9-të në rajon që nga 7 tetori ndërsa sot vizitoi Egjiptin.
Hamasi tha se kryeministri izraelit Netanyahu pengoi arritjen e një marrëveshjeje duke vendosur kushte të reja në negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari./AA