Shefi izraelit i sigurisë dënon terrorizmin e kolonëve militantë hebrej
Kreu i agjencisë izraelite të sigurisë, Shin Bet, ka paralajmëruar liderët e vendit se terrorizmi hebre në Bregun Perëndimor është jashtë kontrollit dhe është bërë një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare. kreu ikësa agjencie, Ronen Bar, lëshoi paralajmërimin në një letër drejtuar kryeministrit, Benjamin Netanyahu, prokurorit të përgjithshëm dhe anëtarëve të kabinetit izraelit, disa prej të cilëve janë mbështetës të hapur të kolonëve ekstremistë përgjegjës për dhunën në rritje. Letra e Barit, dërguar javën e kaluar, por e publikuar nga Channel 12 News të Izraelit të enjten mbrëma, ka nxjerrë në pah hendekun e gjerë dhe të ashpër midis krahut të djathtë ekstrem të koalicionit të Netanyahut dhe aparatit të sigurisë të Izraelit.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, një nga ata që u kritikua nga Bar për qëndrime nxitëse, bëri thirrje që kreu i Shin Bet të shkarkohej, kjo çoi deri tek një qortim të premten nga ministri i mbrojtjes, Yoav Gallant.
Letra e Barit përqendrohej te ekstremistët hebrenj të njohur si "rinia në majë të kodrës", militantë të dhunshëm të cilët kanë kryer një fushatë vrasjesh, zjarrvënieje dhe frikësimi kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, me qëllim për t'i dëbuar ata nga toka e tyre, duke çuar më tej ndjekjen e politikave të së djathtës ekstreme për të plotësuar aneksimin e regut Perëndimor.
Bar tha se veprimet e tyre nuk duhet të përshkruhen si kriminalitet, por si terrorizëm.
“Nuk është krim sepse është përdorimi i dhunës për të krijuar frikësim, për të përhapur frikë. Ky është terror," shkroi ai, duke përshkruar se si fushata ishte "zgjeruar ndjeshëm" në mungesë të një reagimi adekuat të policisë dhe me pajtimin e disa liderëve kombëtarë. Militantët kishin kaluar nga përdorimi i “çakmakëve në armët e luftës”, tha shefi i sigurisë, duke shtuar se disa nga ato armë ishin siguruar nga shteti.
Fushata terroriste, thuhej në letër, është "një njollë e madhe për judaizmin dhe për të gjithë ne".
Bari paralajmëroi se të rinjtë në majë të kodrës kishin kaluar "nga shmangia e forcave të sigurisë në sulmin ndaj forcave të sigurisë, nga shkëputja e tyre nga institucioni te marrja e legjitimitet nga zyrtarë të caktuar në institucion".
Drejtori i Shin Bet iu referua gjithashtu "spektaklit" të vizitës së Ben-Gvir muajin e kaluar në kompleksin e xhamisë al-Aksa dhe Dome of the Rock , vendi më i shenjtë i Islamit në Jerusalem. Ato vende janë gjithashtu të shenjta për hebrenjtë që i njohin si Mali i Tempullit, por status quo-ja për dekada ka qenë se ndërsa hebrenjtë mund të vizitonin, vetëm muslimanët mund të luten atje. Gjatë vizitës së tij të 18 korrikut, Ben-Gvir drejtoi lutjet para kamerave dhe u zotua të ndryshojë status quo-në përgjithmonë.
Veprime të tilla, paralajmëroi Bari, mund të çojnë "në gjakderdhje dhe të ndryshojnë fytyrën e shtetit jashtë çdo njohjeje".
Shefi i sigurimit, i cili ka qenë në këtë post që nga viti 2021, tha se kishte vendosur ta dërgonte letrën “me dhimbje dhe frikë të madhe, si hebre, si izraelit dhe si zyrtar i sigurisë, për fenomenin në rritje të terrorizmit hebre nga 'rinia në majë të kodrës'”, që ai ndjeu se po i afrohej një pike kthese.
"Ne jemi në prag të një procesi të rëndësishëm, që ndryshon realitetin," shkroi Bar. “Dëmi për Izraelin, veçanërisht në këtë kohë, dhe për shumicën e kolonëve është i papërshkrueshëm: një humbje e legjitimitetit global edhe mes miqve tanë më të mirë, vendosja e forcave IDF në një pozitë të vështirë, duke e patur të vështirë të kryejë të gjitha detyrat e saj.”
Udhëheqja nacionaliste, përfundoi Bari, ishte "e gatshme të rrezikonte sigurinë e shtetit dhe vetë ekzistencën e tij" në emër të ideologjisë së tyre.
N12 raportoi se Ben-Gvir ishte larguar nga një takim i kabinetit të sigurisë së Izraelit pasi mbërriti letra e Barit dhe kërkoi shkarkimin e tij.
Netanyahu deri më tani nuk është përpjekur të largojë Barin, por ka qenë kritik ndaj shefit të Shin Bet dhe David Barnea, drejtorit të agjencisë së jashtme të spiunazhit, Mossad, për rolin e tyre si negociatorë në bisedimet e paqes në Gaza, duke lënë të kuptohet se ata ishin të gatshëm të sakrifikonin Izraelin dhe sigurinë për të arritur një marrëveshje për lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi.
"Unë po përballem vetëm me institucionet e sigurisë dhe liderët negociues," tha Netanyahu, në komentet e cituara nga N12. “Ata shfaqin dobësi dhe vetëm po përpiqen të gjejnë mënyra për të pranuar (propozimet për paqe), ndërsa unë insistoj në interesat e shtetit të Izraelit dhe nuk jam i gatshëm të kapitulloj para kërkesave që do të dëmtojnë sigurinë”.
Megjithatë, në mosmarrëveshjen midis Barit dhe Ben-Gvirit, ministri i mbrojtjes i Netanyahut mbajti anën e shefit të sigurisë.
“Përballë veprimeve të papërgjegjshme të ministrit Ben-Gvir që rrezikojnë sigurinë kombëtare të shtetit të Izraelit dhe krijojnë një ndarje të brendshme në komb, [shefi Shin Bet] dhe njerëzit e tij po bëjnë detyrën e tyre dhe po paralajmërojnë kundër pasojave të rënda të këtyre veprimeve”, tha Gallant në platformën e rrjetit social X.
Ben-Gvir u kundërpërgjigj me X, duke i thënë Gallantit të ndalonte sulmin ndaj tij dhe "të fillonte të sulmonte Hezbollahun", duke nxitur shefin e mbrojtjes që të fillonte një luftë parandaluese në Liban, një kërkesë e kahershme e së djathtës izraelite./the gurardian