Izraeli sulmon autokolonën humanitare të organizuar nga një shoqatë amerikane, vriten katër palestinezë
Një sulm ajror izraelit goditi dje një autokolonë ndihmash në Gaza të organizuar nga një grup humanitar amerikan, gjatë të cilit u vranë katër palestinezë në automjetin e parë të autokolonës,
Sipas organizatës jofitimprurëse American Near East Refugee Aid -Anera (Ndihma Amerikane për Refugjatët e Lindjes së Afërt) me seli në Washington, kolona po dërgonte ushqim dhe karburant në Spitalin e Gjysmëhënës së Kuqe të Emirateve në Gaza.
Anera në deklaratën e sotme shtoi se plani i koordinuar i transportit përfshinte roje sigurie të paarmatosura sipas marrëveshjes me kompaninë e tyre të tranzitit, Move One.
Izraeli pretendoi, pa dhënë prova të mëtejshme, se qëlloi automjetin pasi persona të armatosur morën kontrollin e kolonës.
Në deklaratën e Anera-s thuhet se raportet fillestare sugjerojnë se katër anëtarë të komunitetit me përvojë të mëparshme misioni dhe role sigurie nga Move One dolën vullnetarë për të udhëhequr automjetin e parë të kolonës, të shqetësuar se rruga ishte e pasigurt dhe në rrezik grabitjeje.
"Katër anëtarët e komunitetit nuk u verifikuan dhe as u koordinuan paraprakisht dhe autoritetet izraelite pretendojnë se makina kryesore mbante armë të shumta. Sulmi ajror izraelit u krye pa asnjë paralajmërim ose komunikim paraprak", tha Anera në deklaratë.
Asnjë personel i Anera-s nuk u dëmtua, thuhet në deklaratë, duke shtuar se pjesa e mbetur e kolonës vazhdoi misionin e saj dhe e dërgoi me sukses ndihmën në spital.
"Sipas të gjitha informacioneve që kemi, ky është një rast i partnerëve në terren që përpiqen të japin ndihmën me sukses", tha presidenti dhe shefi ekzekutiv i Anera-s, Sean Carroll, duke shtuar: "Kjo nuk duhet të vijë me çmimin e jetës së njerëzve".
Sulmi ndaj autokolonës së Anera-s erdhi pas një tjetër sulmi ndaj një automjeti të Programit Botëror të Ushqimit (WFP) në Gaza të mërkurën, duke bërë që agjencia e OKB-së të ndalojë përkohësisht lëvizjet e stafit në rajon.
Një punonjës i Anera-s, Mousa Shawwa, një koordinator i logjistikës në Gaza, u vra më 8 mars nga një sulm ajror izraelit teksa ishte në një strehë të përcaktuar si të sigurt.
Para kësaj, më 1 prill, në një sulm ajror izraelit në Gaza u vranë shtatë punonjës të ndihmave të Kuzhinës Qendrore Botërore (WCK), duke përfshirë tre shtetas britanikë, një australian, një shtetas polak, si dhe një person me shtetësi të dyfishtë amerikano-kanadez dhe një palestinez.
Pas sulmit ndaj punonjësve të ndihmës WCK-së, presidenti amerikan Joe Biden lëshoi një deklaratë duke thënë se ishte "i indinjuar dhe zemërthyer" dhe akuzoi Izraelin se nuk bën sa duhet për të mbrojtur punonjësit e ndihmave. Gjatë një bisede telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu më 4 prill, Biden paralajmëroi për ndryshime politikash nëse Izraeli nuk ndërmerr hapa për të mbrojtur më mirë civilët dhe punonjësit e ndihmës në Gaza.
Sipas OKB-së, më shumë se 280 punonjës të ndihmës janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori, shumica prej tyre anëtarë të stafit të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA)./AA