Zbardhen pasuritë e “5D”: Si u investuan 1.1 milionë euro në pasuri të paluajtshme
Në dosjen hetimore “5D” zbardhen dhe disa kontrata të pasurive të blera përmes këtij aktiviteti. Rezultojnë rreth 1 milionë e 100 mijë euro kontrata për blerje të apartamenteve, por dhe të trojeve. SPAK dyshon se paratë janë siguruar nga kompania që merrte tendera klienteliste.Paratë e fituara në tendera të dyshimtë korruptive shoqëria “5D” i ka investuar në pasuri të paluajtshme. Në dosje rezultojnë kontratat e lidhura me persona fizikë, apo shoqëri të tjera me qëllim blerjen e tyre edhe në Tiranë.
Asetet kanë kaluar në filtrin e prokurorisë ku rezulton se “5D”-ja ka blerë nga Mustafa dhe Xhevahire Huta një sipërfaqe toke prej 40 metër katrorë me vlerën e 1 350 000 lekëve.
Një tjetër sipërfaqe toke e blerë nga shoqëria “VAS Konstruksion” që më pas e ka ndryshuar emrin në “5D” ndodhet në rrugën “Niko Avrami”. Kontrata është lidhur nëpërmjet Anita Ulajt dhe me cilësinë e blerësit ka nënshkruar Ornela Qato për një shumë prej 45 000 000 lekësh.
Nga Henri Kashari është blerë një truall me sipërfaqe 425 metër katror me vlerën e 212.499 lekëve, truall me sipërfaqe 7349 metër katror, nga e cila ndërtesë me sipërfaqe 2100 metër katror kundrejt 130 mijë eurove, me palë shitësi Dhurata Plakun.
Një tjetër gjetje është edhe bashkëpunimi mes Selim Mollës, i cili ka blerë nga Vjollca Delijorgji një sipërfaqe prej 500.16 metër katrorë dhe çmimi është 380.000 mijë euro ku 180 mijë do të paguheshin menjëherë dhe të tjerat pas 6 muajsh.
Në tregun e blerjeve të pasurive të paluajtshme është përfshirë edhe administratori Nestor Muhametllari. Ky i fundit ka blerë nga Eriseld Xhaferri një apartament në shumën e 170 000 eurove, ku 120 mijë euro do të jepeshin brenda 7 ditëve dhe kësti i dytë do të paguhej nëpërmjet një kredie bankare. Nga verifikimi i lëvizjeve të llogarisë bankare në llogarinë e Nestor Muhametllarit rezulton një transfertë e ardhur nga shoqëria “5 D” me vlerën e 100 mijë eurove.
Nga kontrolli i banesës së Nestor Muhametllarit hetuesit kanë zbuluar një kontratë me zyrën e “Remax” me blerës Andreina Muhametllarin dhe shitës Eriseld Xhaferrin. Objekti i kontratës ishte pikërisht apartamenti në fjalë ku çmimi i shitjes ishte rënë dakord për shumën 230 mijë euro. /Ora News