Lidhje


OKB: Në luftën e Ukrainës kanë humbur jetën 11.700 civilë

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) tha se 11.700 civilë kanë humbur jetën në luftën në Ukrainë dhe u bëri thirrje liderëve të vendeve anëtare që përgatiten për seancën e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për t'i dhënë fund luftës në këtë vend, transmeton Anadolu. Me kërkesë të Ekuadorit dhe Francës, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u mbajt seancë për sulmet e Rusisë ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në Ukrainë. Duke informuar këtu vendet anëtare, Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e OKB-së për Çështjet Humanitare, Joyce Msuya tha se situata në Ukrainë po përkeqësohet.

 

- Janë vrarë 11.700 civilë

 

Msuya tha se numri i të vdekurve është rritur dhe vuajtjet e njerëzve kanë arritur në "nivele të padurueshme" dhe se deri më tani kanë humbur jetën 11.700 civilë dhe janë plagosur 24.600 të tjerë.

 

Duke tërhequr vëmendjen se aktualisht në Ukrainë janë zhvendosur me forcë 10 milionë njerëz, Msuya tha se sulmet në shkallë të gjerë kanë vazhduar në të gjithë Ukrainën që nga 26 gushti, se konflikti në kufirin Ukrainë-Rusi është përhapur në zona të reja dhe se ata janë thellësisht të shqetësuar në lidhje me këtë situatë.

 

Msuya thekson se 130 mijë njerëz janë zhvendosur si pasojë e operacioneve ushtarake në rajonin e Kurskut në Rusi. Pasi bëri të ditur se edhe këtu ka sulme ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, Msuya tha "Të gjitha palët duhet të mbrojnë civilët dhe asetet civile në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare".

 

- 14.6 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë

 

Msuya deklaroi se rritja e aktiviteteve ushtarake po vështirëson operacionet e ndihmës humanitare dhe po rrezikon punonjësit.

 

Ajo tha se 1.4 miliard dollarë janë dhënë për Fondin e ndihmës humanitare të shpallur për Ukrainën këtë vit. Msuya shtoi se kjo ishte e pamjaftueshme dhe se 14.6 milionë njerëz në të gjithë Ukrainën kanë nevojë për ndihmë.

 

Msuya u bëri thirrje liderëve të vendeve anëtare që përgatiten për sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë./AA

XS
SM
MD
LG