Kolonët ilegalë i"zraelitë vjedhin bagëti nga familjet palestineze në Bregun Perëndimor
Kolonët ilegalë të armatosur izraelitë plaçkitën një numër të madh dhensh që i përkisnin palestinezëve në jug të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu. Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa, duke cituar burime lokale të paidentifikuara, raportoi se një grup kolonësh të armatosur sulmuan shtëpitë palestineze në komunitetin Haribat an-Nabi në zonën Masafer Yatta me mbrojtje nga ushtria izraelite. Masafer Yatta është një grup prej 19 fshatrash palestinezë në rrethin e El-Halilit (Hebron) në jug të Bregut Perëndimor.
Sipas agjencisë, kolonët e paligjshëm vodhën shumë dhen nga dy burra palestinezë, Ali Sabah dhe Abdul Muhsin Rashid, pasi ndaluan familjet e tyre, kontrolluan shtëpitë dhe hambarët e tyre dhe shkaktuan dëme.
Palestinezët thonë se autoritetet izraelite nuk reagojnë ndaj sulmeve të kolonëve të paligjshëm në kuadër të përpjekjeve zyrtare për të intensifikuar aktivitetet e vendbanimeve kolone në territoret e pushtuara.
Sipas vlerësimeve izraelite, më shumë se 720 mijë kolonë jetojnë në vendbanime të paligjshme në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor. Vendbanimet kolone izraelite konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Tensionet kanë qenë të larta në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar në mes të ofensivës vdekjeprurëse izraelite në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë rreth 41.300 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Të paktën 710 palestinezë janë vrarë dhe afro 5.700 të tjerë janë plagosur nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Përshkallëzimi vjen pas një opinioni kyç të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në korrik që e shpalli "të paligjshëm" pushtimin disadekadësh të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor./AA