Rama rikthen idenë e "Shqipëria 1 euro", por për oligarkët e tij
Thursday, 03 October 2024 10:19
Pasi gostiti të gjithë oligarkët e bregdetit dhe jo vetëm, me prona shtetërore për vetëm 1 euro, tani në prag të zgjedhjeve qeveria po mendon t’i shpërblejë edhe me male. Një projektligj i ri i propozuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, i titulluar “Për shitjen e pasurive të paluajtshme shtetërore poseduesëve faktikë jopronare në zonat me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore”, ka për qëllim nxitjen e investimeve në këto zona me një tarifë simbolike prej 1 euro.
Drafti i ligjit synon të inkurajojë zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë në rajone që shquhen për burime natyrore dhe trashëgimi kulturore. Në nenin 8 të projektligjit, theksohet se pasuritë e paluajtshme shtetërore do të kalojnë në pronësi të subjekteve private përmes shitjes me tarifën simbolike 1 euro, për aq kohë sa plotësojnë kriteret e përcaktuara. Pas miratimit, projektligji pritet të shoqërohet me akte të tjera nënligjore që do ta bëjnë atë zbatueshëm dhe do të detajojnë më shumë procedurat për investitorët.
Kjo nismë ka si qëllim të shfrytëzojë burimet natyrore dhe të mbrojë ekosistemet, duke promovuar një zhvillim të qëndrueshëm në male, por ajo çfarë ka ndodhur deri më tani programin 1 euro ka treguar një realitet krejt ndryshe.
Oligarkët e pangopur duke përfituar nga “zemërgjerësia” e qeverisë kanë zaptuar pronat shtetërore dhe bregdetin duke investuar në shumë raste burime misterioze të ardhurash dhe shkatërruar shumë ekosisteme.
Ajo që mund të themi është se shitja e maleve për vetëm 1 euro është dhurata perfekte në prag të zgjedhjeve për investitorët strategjikë a.k.a oligarkët uzurpues.-JOQ