Policia gjermane mbyll faqen pedofilike të internetit me qindra mijëra përdorues në mbarë botën/Po viktimat e kësaj industrie "perëndimore"?
Policia në shtetin gjerman Rajna Veriore-Vestfalia njoftoi sot në një deklaratë për shtyp se ka mbyllur një faqe interneti pedofilike në të ashtuquajturin "Darknet" me qindra mijëra përdorues në mbarë botën, transmeton Anadolu. "Pas hetimeve dhe kërkimeve intensive në disa shtete federale, gjashtë drejtues të dyshuar të një platforme të errët u arrestuan", thuhet në deklaratë. Të arrestuarit akuzohen për "shpërndarje të përmbajtjes pornografike për fëmijë në formë bande". Gjithsej 1.517 objekte, duke përfshirë laptopë, kompjuterë, telefona celularë dhe 94 kuti lëvizëse me video-kaseta dhe DVD, ndër të tjera, janë konfiskuar nga policia dhe tani janë duke u analizuar, shtoi policia.
Sipas policisë, ende nuk mund të llogaritet sasia e saktë e të dhënave. "Vetëm në një kompjuter të një të dyshuari duhet të analizohen 13,5 terabajtë. Për një foto me një madhësi mesatare skedari prej 4 megabajtësh, kjo korrespondon me rreth 3,4 milionë foto", thuhet në njoftimin për shtyp.
"Ajo që policia e Duisburgut ka shkaktuar me hetimet e saj nuk është një sukses i kalueshëm, por një ‘shpërthim’ në skenën e pornografisë së fëmijëve. Skena tani ka një shesh lojërash më pak për neveritë e saj", tha në një konferencë për shtyp ministri i brendshëm i shtetit federal të Rajnës Verirore-Vestfalisë, Herbert Reul.
Ministri i drejtësisë i shtetit, Benjamin Limbach, tha se "suksesi i hetimit të policisë është një rrahje daulleje. Dërgon një sinjal të pagabueshëm për të gjithë autorët e abuzimit të fëmijëve: Nuk mund të fshiheni. Jo pas katër mureve, jo pas një pseudonimi dhe jo në rrjet të errët".
Sipas vlerësimeve të hetuesve, qindra mijëra përdorues aktivë janë identifikuar në mbarë botën. Në operacion janë përfshirë njësi speciale dhe forca speciale nga disa shtete gjermane./AA