Lidhje


Pse Rama qëndron si “guak” pas skandalit italian me emigrantët

Politika italiane është përfshirë nga një debat shumë i fortë gjatë dy ditëve të fundit, pasi gjykata e emigracionit në rajonin e Romës vendosi që 12 emigrantët e parë të “depozituar” në kampin e Gjadrit, në Shqipëri, duhet të kthehen menjëherë në Itali. Mesjavën që po lënë pas, një anije e Guardia di Finanza solli në portin e Shëngjinit 16 emigrantë nga vendet e treta, Egjipt e Bangladesh, të cilët po tentonin të hynin ilegalisht në rrugë detare në Itali.

 

Katër prej tyre -dy të mitur dhe dy të sëmurë -, u dërguan menjehërë në Itali, ndërkohë që pjesa tjetër u vendos në kampin provizor të Gjadrit, bazuar në një Pakt shumë të dyshimtë ndërmjet kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe homologes së tij italiane, Xhorxhia Meloni.

 

Gjykata e emigracionit në Romë vendosi të premten e kësaj jave se, edhe 12 të tjerët, duhet të shkojnë menjëherë në Itali, nga ku duhet të ndjekin procedurat rutinore për leje qëndrimi, pasi qëndrimi i tyre në Shqipëri ishte në kundërshtim të hapur me normat e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

 
 
 
 

Ky vendim shënoi një goditje të fortë për Melonin dhe qeverinë e saj, e cila gjendet nën një trysni të fortë politike për “shpërdorim të 800 milionë euro plus” të shpenzuara për ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri.

 

Ndërkohë që “motra Meloni” gjendet nën këtë furtunë, “vëllai i vogël”, Edi Rama, ka gati 48 orë që luan rolin e “guakut”, rolin e atij që sillet se ajo që po ndodh në Itali nuk i përket aspak atij.

 

Rama i parapriu kësaj situate, kur në një intervistë dhënë pak ditë më parë për gazetën italiane “La Repubblica”, deklaroi se “Qendrat e emigrantëve në Shqipëri nuk janë shqetësimi i qeverisë sonë. Ne do të shqetësohemi vetëm nëse Italia përfshihet dhe kur ka arsye për t’u shqetësuar”.

 

Ky ishte një lloj qëndrimi alla-Shvjeg-ian, sipas të cilit “nuk ka ç’më duhet mua se çfarë bëj unë!”.

 

Rama nuk është “alien” në shpërthimin politik në Itali. Përkundrazi, ai u vetëofrua që të luante në dorën e Melonit rolin e kallauzit, atij telit të fortë që përdorin hidraulikët kur bllokohen tubat e tualeteve në apartamente.

 

Kallauzi ka detyrën kryesore që të zhbllokojë tubat, por, nëse diçka nuk shkon si duhet, mund të sjellë vetëm kutërbimin e erërave të pakëndshme të mbledhur në brendësinë e tyre.

 

Në rastin e “kallauzit” Rama, shumëçka shkoi për dreq. Xhorxhia Meloni duhet të mbledhë fuqitë dhe të justifikojë Paktin e saj me Ramën. Ndërkohë që, ky i fundit, pra, “kallauzi” që u përdor për të përhapur kutërbimin, ka vendosur, të paktën për momentin, të luajë rolin e guakut./boldnews

XS
SM
MD
LG