THELLOHET SKANDALI/ Shteti në kërkim të Altin Hajrit, i akuzuar për rrëmbimin e Jan Prengës. Jurgis Çyrbja “u shpërblye” duke u futur i treti në listën e PS-së
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimi ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja. Ish-deputeti dyshohet se ishte përdorues i aplikacionit SKY dhe se bashkëpunoi me personazhe të një grupi kriminal në Durrës.
Pas një hetimi të gjatë dhe nga përgjigjet e autoriteteve franceze u zbulua se gjatë kohës që ishte deputet, ai ishte përdorues i aplikacionit Sky dhe se ka të dhëna sekrete se ka bashkëpunuar me personazhe të një grupi kriminal në Durrës. Bashkë me të ka rënë dje në pranga edhe një bashkëpunëtor i tij shtetasi Ahmet Masha, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Burime nga uniformat blu bëjnë me dije për gazetarin Edison Vatnikaj se Altin Hajri është personi i tretë që rezulton të jeteëshpallur në kërkim për dosjën e ish-socialistit Çyrbja.
Hajri gjithashtu kërkohet nga Prokuroria e Posaçme edhe për rrëmbimin dhe vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës.
Deputeti Çyrbja ka ndihmuar për t’u strehuar dhe mos u kapur nga policia Altin Hajrin, pronarin e “Golden Park”, në mënyrë që të mos arrestohej nga policia, pasi kërkohej lidhur me ngjarjen e rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës.
Çyrbja e ka mbajtur Hajrin në shtëpinë e tij dhe disa banesa të tjera.
Ndërkohë sipas dosjes hetimore, Plaurent Dervishaj dhe Mond Çekiçi, i vrarë në Durrës, kanë biseda mes njëri-tjetrit për ta futur Çyrben në listën e PS-së për deputet në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e vitit 2021.
Të dy kanë biseduar për të ndërhyrë “lart” që Çyrbja të futet i treti në listë dhe jo i pesti.
Kujtojmë se Partia Socialiste në zgjedhjet e 2021-it kishte tre deputetë më të votuar në Durrës: Lefter Koka (u tërhoq pak dite para zgjedhjeve dhe aktualisht ndodhet në burg), Rrahman Rrahja (i dorëhequr pas veprimtarive kriminale të familjarëve të tij), dhe Jurgys Çyrbja (i prangosur të dielë), dhe koordinator politik Vangjush Dakon.
Jurgis Çyrbja është deputeti i dytë më i fortë në vota në Durrës, duke marrë në 2021 një shifër prej 6537 vota
Ndërkaq kujtojmë se i arrestuari tjetër mbrëmjen e djeshme, Ahmet Masha, është person me precedentë penalë pasi ai është arrestuar dhe dënuar nga Gjykata e Durrësit në dhjetor të vitit 2013 për kontrabandë mallrash në portin e Durrës.
Gjithashtu Prokuroria e Posaçme në një reagim për mediat mbrëmjen e djeshme bëri me dije se Jurgis Çyrbja është arrestuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”./oranews