Gripi i shpendëve, konfirmohet një vatër në Tiranë
Një vatër me gripin e shpendëve (H5N1) është konfirmuar në fshatin Mëzez, në Tiranë. Lajmin e ka konfirmuar edhe Ministria e Bujqësisë përmes një njoftimi zyrtar, ku bëhet me dije se vatra është karantinuar me qëllim izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit. Në njoftimin e ministrisë thuhet se Instituti i Shëndetit Publik është njoftuar për të kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e riskut tek njerëzit.
Që nga data 30 tetor, fermerëve iu është ndaluar lëvizja e shpendëve nga fermat e zonave të Bashkive: Tiranë, Vorë dhe Kamëz. Ministria ka ndaluar edhe shitjen dhe tregtimin e shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla. Gjithashtu është vendosur ndalimi i lëvizjes së shpendëve të gjallë pa autorizim të veterinerit zyrtar për në thertore, pasi është kryer testi i PCR-së dhe shpendët kanë rezultuar negativ ndaj sëmundjes. Këto shpendë duhen të jenë të shoqëruar me certifikatën shëndetësore të lëvizjes së shpendëve, në Bashkinë Tiranë, Kamëz dhe Vorë.
NJOFTIMI I MINISTRISË:
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në kuadër të transparencës dhe të informimit të publikut, menjëherë pas marrjes së konfirmimit nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për prezencën e sëmundjes së Influencës Aviare me patogjenitet të lartë (H5N1) për një vatër të identifikuar si fermë oborri familjar, ngriti Qendrën Kombëtare të Krizës, e cila sot mbajti takimin e saj të parë, në zbatim të Urdhrit të Ministrit nr 885, 30.10.2024.
Për kontrollin efikas dhe të menjëhershëm të situatës në terren, mëngjesin e ditës së sotme, përfaqësues të MBZHR dhe AKVMB inspektuan nga afër vatrën e identifikuar si pozitive, në Fshatin Mëzez, Njësia Administrative Kashar. Shërbimi Veterinerar mbikqyri dhe monitoroi nëpërmjet kampionimit edhe ferma të tjera të vogla familjare, prezent në zonën e mbrojtjes dhe të mbikqyrjes, për t’i dërguar ato pa vonesë në Laboratorin e Referencës – ISUV. Eshtë në fuqi Urdhri i Ministrit Nr. 411 datë 20.09.2022 “Për miratimin e planit të kontigjencës për sëmundjen e Influencës Aviare”, i cili përcakton modalitetet e mbajtjes nën kontroll të sëmundjes, dhe Urdhri Nr. 177, datë 28.03.2023 “Për miratimin e programit kombëtar të mbikqyrjes së Influencës Aviare”.
Shërbimi Veterinar i AKVMB ka karantinuar vatrën dhe zonat e mbrojtjes dhe mbikqyrjes, me qëllim izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit.
Është njoftuar Instituti i Shëndetit Publik, për të kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e riskut.
Prej ditës së sotme, njoftojmë fermerët, mbarështuesit e shpendëve të cilësdo lloj specieje, se është ndaluar lëvizja e shpendëve nga fermat e zonave të Bashkive: Tiranë, Vorë dhe Kamëz, në zbatim të Urdhrit të Minstrit Nr. 886, datë 30.10.2024 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”, i cili përcakton:
– Ndalimin e shitjes dhe tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla,
– Ndalimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla
– Moslejimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë pa autorizim të veterinerit zyrtar për në thertore, pasi është kryer testi i PCR-së dhe shpendët kanë rezultuar negativ ndaj sëmundjes së influencës aviare. Këto shpendë duhen të jenë të shoqëruar me certifikatën shëndetësore të lëvizjes së shpendëve, në Bashkinë Tiranë, Kamëz dhe Vorë.
Udhëzojmë shpendërritësit në të gjithë vendin, të marrin masa për zbatimin e biosigurisë në fermat dhe mjediset ku ata mbarështojnë shpendë, si dhe të kryejnë lëvizjen e shpendëve për qëllime tregtare, vetëm pasi të jenë autorizuar nga Veterineri Zyrtar i Shërbimit me Certifikatën Veterinare të Lëvizjes së Kafshëve.
Për cdo rast dyshimi, kërkohet komunikimi i menjëhershëm me shërbimin veterinar rajonal, mos-manipulimi me shpendët e dyshuar, si dhe për efekt kohe kontakti me AKVMB në numrin e gjelbër 08003366, ose në adresën e e-mail: This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it..
Për komunikim publik me konsumatorin, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon se situata e garantimit të zinxhirit të sigurisë ushqimore është nën kontroll. Deri më tani nuk ka prova epidemiologjike dhe shkencore se ky virus transmetohet nëpërmjet konsumit të produkteve me origjinë shtazore dhe rekomandet që konsumi i këtyre produkteve të bëhet pas trajtimit termik, me temperaturë të larta mbi 75 oC.
Gjithashtu nga ana e MBZHR u bë njoftimi zyrtar i sëmundjes në Sistemin e Informimit për Sëmundjet e Kafshëve të BE-së (ADIS) dhe në sistemin e raportimit të shpërthimit të sëmundjeve (WAHIS) të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) me qëllim njoftimin e sëmundjes në vendet fqinje dhe në Evropë./lapsi