Pirueta e Ramës/ Dikur kundër Trump sot.....; “Fitorja e Trump nuk ndryshon gjë për Shqipërinë”
Zgjedhja e Trump “për Shqipërinë nuk nënkupton asgjë”. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama në Budapest të Hungarisë ku po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian, për çështjet e sigurisë. Ai e ka përforcuar mendimin e tij përpara gazetërëve duke shtuar: “Asgjë nuk ndryshon. Shqiptarët janë komuniteti më pro-amerikan në Evropë, kështu që kushdo të jetë në Shtëpinë e Bardhë, nuk bën ndonjë dallim të madh”. Donald Trump që u zgjodh të martën presidenti i 47 i SHBA-ve, por që do të marë detyrën në janarin e ardhshëm, ka shkaktuar shumë frikë dhe shqetësim midis vendeve aleate në perëndim.
Por kryeministri Shqiptar ka zgjedhur të mbajë anën e atyre që besojnë se një gjë e tillë do të forcojë NATO-n dhe nuk do të jetë detyrimisht fatkeqësi për Ukrainën. “Ja kam thënë (Zelenskit-shënim i Lapsi.al), mendoj që nuk është domosdoshmërisht diçka për t’u shqetësuar për shkak të tij, por diçka për të reflektuar, për të bërë shumë më tepër për të pasur një Evropë shumë më të fortë. Kur u zgjodh herën e parë, të gjithë po dridheshin, sepse ndoshta NATO-s do t’i vinte fundit, por NATO-ja u bë më e fortë” tha Rama nga mjediset e samitit.
Por çfarë ka ndodhur që kryeministri shqiptar garanton se Trump nuk është rrezik për vendin tonë si më pro amerikani në Evropë?
Plotë tetë vite më parë qëndrimi i Ramës, atëhere vetëm prej dy vitesh e gjysëm kryeministër ishte krejt i ndryshëm. Gjatë në interviste në Kosovë ai bëri deklarata shumë të forta. “Mos e dashtë Zoti që Amerika të zgjedhë Trump për president, – ka tha ai në 8 prill 2016, përballë gazetarit Baton Haxhiu. – Donald Trump është kërcënim për Amerikën dhe pa dyshim është kërcënim për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Do të ishte një President që do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe do të ishte kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”. Por këto nuk ishin një lajthitje e çastit. I vendosur për të mbështetur kandidaten e atëhershme demokrate, Hillari Klinton, Edi Rama i përsëriti të njëjtat teza edhe gjatë një interviste me Mustafa Nanon. Madje ai doli edhe në SHBA, i lobuar për tu shfaqur enkas në CNN, ku komentoi kandidatin e republikanëve, që sipas sondazheve atëhere kishte shumë pak shpresë të fitonte dhe të cilin ai e kishte damkosur si “turpin e civilizimit”. Atëhere ai tha: “…perspektivat që po dëgjojmë nga Donald Trump janë me të vërtetë shqetësuese dhe po cenojnë realisht atë çka SHBA është në sytë tanë”.
Madje nuk mungoi ti jepte edhe disa këshilla etniko kulturore kandidatit për në Shtëpinë e Bardhë: “shpresoj që ndërkohë ai të jetë në gjendje të mësojë më shumë mbi botën, të mësojë më shumë mbi myslimanët, të mësojë më shumë se si ka shumë njerëz, që pavarësisht besimit apo etnisë së tyre, jetojnë me krenari me vlerat që Amerika përfaqëson dhe i mbrojnë këto vlera, edhe përmes sakrifikimit të fëmijëve të tyre, në luftërat që bëjnë përkrah Amerikës” tha ai në CNN.
Pra pyetja është se si mund të spjegohet ky kapërcim në poicione diametralisht të kundërta. Janë të shumtë ata që e argumentojnë këtë vetësiguri të tanishme me pasurimin marramendës dhe me fuqinë e tij lobuese.
Rama ka nisur me kohë disa biznesmenë të mëdhej shumë pranë tij, si në Shqipëri dhe në Kosovë të depërtojnë në rrethin e afër më Trump. Një shpure e tyre, kryesisht përfitues kullash në Tiranë morrën rrugën direkt me një çarter privat, për të qenë në SHBA ditën e zgjedhjeve, me arsyetimin publik se do të ngrinin një fund-raising në mbrojtje të Hashim Thaçit.
Disa prej tyre janë telefonuar drejtpërdrejt nga shefi i madh për ta ndërmarrë këtë rrugëtim. Pastaj tetntativat e përbashkëta me Vuçiçin për ti dhënë copa të vendeve të tyre falas dhëndrit të Trump Kushner dhe Riçard Grenellit janë veprime tejet të lexueshme.
Por sa do lart të ketë mbërritur fuqia lobuese e Ramës, siguria e tij është më shumë politike sesa falë parasë së hedhur. Edi Rama e instaloi autokracionë e tij në vend, falë demokratëve amerikanë dhe gjatë administratës Biden, e cila u bë godisja më e fortë e opozitës në Shqipëri. Tani kur pushteti në Uashington është drejt ndryshimit, duke njohur profilin e Trump, si një politikan izolacionist që nuk e favorizon intevencionizmin dhe duke ditur shqetësimin e ulët për vlerat demokratike që ai ka, kryeministri shqiptar nuk ndihet i rrezikuar.
Nëse administrata demokrate, e ndërgjegjshme për gabimet kolosale që bëri do mundohej të paktën sa për sy e faqe të ruante një ekuilibër demokratik, ajo trumpiste mund të zhvishet edhe nga këta skrupuj. Pra, me shumë gjasë, Rama supozon se nën presidencën Trump, atij nuk do ti hyjë gjemb në këmbë për forcimin e një superpushteti që arriti të mbledhë në kohën e demokratëve. Ai nuk ndihet i kërcënuar. Dhe duke e barabtur Shqipërinë me veten është i lirshëm të deklarojë se as vendi nuk është i rrezikuar nga ndryshimi i fundit në Shtëpinë e Bardhë. /Lapsi