Lidhje


Sjellja e turpshme e ministres Koçiu për rastin e pacientit të v"dekur nga k"anceri

Salla e kuvendit është shndërruar sot në një arenë ku mund të vëzhgohet se sa të pandjeshëm ndaj jetës njerëzore mund të të bëjë pushteti; se sa përçmim mund të tregohet ndaj vdekjes, kur në lojë është imazhi prej ministreje apo reputacioni i qeverisë; sesi mund të vritet empatia brenda vetes, për dikë që shkon në botën tjetër, ngaqë s’pati mundësi të merrte ilaçe.

 

Fatkeqësisht të gjitha këto morën fytyrën e ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu. Ajo doli nga binarët në interpelancën e thirrur nga deputeti Agron Shehaj. Kryetari i partisë së re “Mundësia” zgjodhi të mos bëjë vetë pyetje në interpelancë, por të nxirrte dëshminë e një të moshuari, djali i të cilit kishte ndërruar jetë tek Onkologjiku, pasi aty kishin mbaruar ilaçet.

 

“Zonja ministre, kjo është pyetja ime. Jepini përgjigje këtij qytetari që thotë “do merrni më qafë të tjerët pa mirë djali im iku” – u shpreh Shehaj.

 

Në këtë situatë jashtë skenarit, e pa përgatitur nga spin doctorsat e saj të propagandës, në vend që të fliste me përunjësinë e një gruaje, me ndjeshmërinë e një nëne e pastaj edhe si anëtare e kabinetit qeveritar për këtë rast fatkeq, znj. Koçiu e përbuzi atë jetë të humbur dhe u hodh në sulm politik.

 

Sipas kësaj gruaje që i shkon për shtat togfjalëshi “banaliteti i së keqes” trajtimi i një rasti konkret të vdekjes për mungesë ilaçesh ishte një veprim i paskrupullt.

 

“Nuk e mendova kurrë që do të vije këtu dhe do të trajtoje këtë fatkeqësi të një qytetari për kredo politike. Nuk trajtohen humbjet dhe fatkeqësitë për kredo politike. Nëse do ti shkojmë rastit, i shkojmë deri në fund. Por nuk besoj që ky është as vendi as Kuvendi për të treguar raste specifike, që nuk kanë të bëjnë aspak me atë që deklaruat ju” – tha ajo.

 

Por Albana Koçiu nuk u ndal këtu por shkoi më tej duke akuzuar të vdekurin (jo se s’kishte marrë dot mjekimin), por se e pati vërejtur me vonesë sëmundjen.

 

“Sëmundja e kancerit nëse nuk kapet në kohë ka problematikat e veta. Dhe për të kapur sëmundje të tilla në kohë, bëjmë fushata.”

 

Aq shumë u hutua se mos i bënte dëm propagandës së shefit të saj sa përgënjeshtroi dhe ato që kish thënë disa çaste më parë kur sfidoi se rastin në fjalë mund ta diskutonin në thellësi.

 

“Nuk do të bie në batakun e asaj që doni të bëni. Nuk kam ndërmend që të vazhdoj të të jap shpjegime për këtë.”

 

Aq shumë u trullos ministrja sa nuk qe në gjendje të përmendte fjalë njerëzore si keqardhje apo pendesë, por me mendësinë e një burokrateje të rëndomtë diktature tha se jetët mund të shpëtoheshin nëse dikush ankohej pranë saj.

 

Nëse Agron Shehaj, apo dikush tjetër në sallën e Kuvendit shqetësohet për raste të tilla, duhet të trokasë në derën e saj tha Albana Koçiu.

 

“Sikundër nga ana tjetër, nëse ti në cilësinë e deputetit dhe unë në cilësinë e ministres do të kishe kaq shumë ndjesi të forta të përgjegjësisë qytetare, mund të vije fare mirë ti bije një herë të vetme derës time, apo të më shkruaje një mesazh” – e përmbylli ministrja, gjithmonë duke mos u marrë me rastin, por duke tentuar të hidhet në kundërsulm se as deputetit opozitar nuk i kish interesuar kjo fatkeqësi.

 

Dhe pasi ra më këmbët e saj në këtë grackë debile Shehaj, nuk mund ta falte më.

 

“Kush jeni ju që të vij unë të trokas tek dera juaj?! Kush mendoni se jeni ju? Ju jeni një shërbëtore. Ju duhet të shërbeni qytetarët, pavarësisht se kush janë deputet, ministra, pasanik, të varfër apo jo. Ju duhet ti shërbeni të gjithëve. Si mund të më thoni pse nuk erdha të trokas? Çfarë do bënit ju po të trokisja unë? Do ja hiqnit atij e do ja jepnit dikujt tjetër apo do të bënit të kundërtën? Ju vendosni kush do të jetojë e kush do të vdesë në këtë vend?” 

 

Interpelanca e sotme me ministren e shëndetësisë, si një nga skenat më të shpifura që janë parë në historinë e parlamentit shqiptar, nuk shpërfaq vetëm dukurinë e zyrtarëve të shkëputur totalisht nga realiteti. Ajo dëshmon për ekzistencën e njerëzve të kërrusur nga frika se mos i bëjnë dëm propagandës së shefit, të cilët për këtë arsye, janë tharë së brendshmi, kanë humbur çdo ndjeshmëri, janë zhveshur nga çdo empati edhe ndaj jetës së humbur të qytetarëve.

 

Vetëm kështu shpjegohet se si Albana Koçiu u tregua e pazonja të shfaqte nota keqardhje apo ngushëllimi. Qoftë edhe ta bënte sa për forcë zakoni edhe sikur të qe e bindur se s’kishte asnjë përgjegjësi dhe faj. Por jo, ajo bëri të kundërtën. Luajti të fortën me një të vdekur. Prandaj gjithçka që nxori nga goja tingëlloi makabër./Lapsi.al 

XS
SM
MD
LG