Ku po shkojnë eksportet shqiptare? Na “braktisën” Kosova, Italia dhe Spanja
Eksportet kanë thelluar sërish rënien në muajin Tetor të këtij viti tregojnë të dhënat më të fundit të INSTAT. Vlera e tyre në këtë muaj arriti në 31 mld lekë, duke rënë me 15.2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por me një rritje prej 0.9%, në krahasim me Shtatorin e po të njëjtit vit.
Ndërkohë, nga ana tjetër, edhe importet kanë reflektuar rënie në vlerë. Ato arritën vlerën 77 mld lekë, duke rënë me 1.5%, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 8.3%, në krahasim me Shtatorin e vitit 2024. Ajo që bie në sy është rritja e deficit tregtar si në terma vjetorë me 10.6%, ashtu edhe në terma mujorë me 13.9%.
Në një hark prej dhjetë muajsh të dhënat tregojnë se eksportet e mallrave arritën vlerën 317 mld lekë, duke u ulur me 14.3%, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 743 mld lekë, duke u rritur me 2,0%, krahasuar me një vit më parë.
Nëse analizojmë ndikimin e grupeve në drejtim të ekporteve nuk përballemi me surpriza as për muajin Tetor të këtij viti. Janë po materialet e ndërtimit dhe tekstilet dy grupet me ndikimin më të madh në rënien e eksporteve. Rënia e euros përkundrejt Lekut në vendin tonë po tkurr nga muaji në muaj ekportet shqiptare duke i bërë ndër të humburit kryesor nga kjo situatë.
Gjatë muajit Tetor të vitit 2024, nëse do të flisnim për importet, në rënien e tyre negativisht kanë ndikuar grupet “Materiale ndërtimi dhe metale” me 3.3 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 1 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me 0.8 pikë përqindje.
Por me cilat vende ranë më shumë ekportet?
Në muajin Tetor, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Tetorin e vitit 2023 janë Kosova (24.0%), Italia (13.6%) dhe Spanja (4.7%). Ndërkohë vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, ishin Greqia (12.3%) dhe Gjermania (11.4%)/gazetatema