Çka ndodh kur gazi rus për Evropën, përmes Ukrainës, ndalet?
Kompania energjetike e Austrisë, OMV, u informua nga prodhuesi rus i gazit, Gazprom, se ai do t’i ndalojë dërgesat e gazit natyror përmes Ukrainës për OMV-në nga 16 nëntori, pasi OMV-ja fitoi një rast arbitrazhi. Një punëtor ulet mbi rezervuarin e kamionit të tij pranë kullës së biznesit Lakhta Centre, selia e monopolit rus të gazit Gazprom në Shën Petersburg, Rusi, 27 prill 2022. Por, furnizimet me gaz rus në Evropë, përmes Ukrainës, mund të ndalojnë plotësisht nga 1 janari i vitit 2025, pasi marrëveshja aktuale pesëvjeçare të skadojë.
Kievi ka refuzuar të negociojë kushte të reja të transitit me Moskën, gjatë kohës së luftës.
Furnizimi i Evropës me gaz rus përmes Ukrainës është relativisht i vogël.
Rusia dërgoi rreth 15 miliardë metra kub (bcm) gaz përmes Ukrainës në vitin 2023, që është vetëm 8% e sasisë së gazit rus që arriti në Evropë përmes rrugëve të ndryshme, në periudhën 2018-2019.
Rusia kaloi gjysmë shekulli duke ndërtuar tregun e saj evropian për gazin, ku dikur dërgonte 35% të kapaciteteve.
Moska u zëvendësua nga rivalët e saj, Norvegjia, Shtetet e Bashkuara dhe Katari, prej se nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Kjo bëri që Bashkimi Evropian ta zvogëlonte varësinë e tij nga gazi rus.
Çmimet e gazit në BE u rritën në vitin 2022 në nivele rekorde, si pasojë e humbjes së furnizimeve ruse.
Rruga përmes Ukrainës
Tubacioni i epokës sovjetike Urengoj-Pomari-Uzhgorod e bart gazin nga Siberia përmes qytetit Sudzha - tani nën kontrollin e forcave ushtarake ukrainase - në rajonin Kursk të Rusisë. Më pas, ai rrjedh përmes Ukrainës në Sllovaki.
Një punëtor shihet në punishten për ndërtim të gazsjellësit Rrjedha Veriore 2. Certifikimi I gazsjellësit është anuluar në Gjermani, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.
Në Sllovaki, tubacioni i gazit ndahet në degë që shkojnë në Republikën Çeke dhe në Austri.
Austria ende merr pjesën më të madhe të gazit të saj përmes Ukrainës, ndërsa Rusia përbën rreth dy të tretat e importeve të gazit të Hungarisë.
Sllovakia merr rreth 3 miliardë metra kub nga Gazprom-i në vit, që përbën rreth dy të tretat e nevojave të saj.
Republika Çeke i ndaloi pothuajse tërësisht importet e gazit nga lindja vitin e kaluar, por filloi të marrë gaz nga Rusia në vitin 2024.
Shumica e rrugëve të tjera të gazit rus për në Evropë janë të mbyllura, përfshirë Jamal-Evropë përmes Bjellorusisë dhe Rrjedhën e Veriut nën Baltik.
Të vetmet rrugë tjera operacionale të gazsjellësit rus për në Evropë janë Rrjedha Blu dhe Rrjedha Turke për në Turqi, nën Detin e Zi.
Turqia dërgon ca vëllime të gazit rus në Evropë, përfshirë edhe Hungarinë.
Pse funksionon ende rruga përmes Ukrainës?
Edhe pse vëllimet e mbetura të transitit të gazit rus janë të vogla, çështja mbetet një dilemë për BE-në.
Shumë vende anëtare të BE-së, si Franca dhe Gjermania, kanë thënë se nuk do të blejnë më gaz rus, por qëndrimi i Sllovakisë, Hungarisë dhe Austrisë, që kanë lidhje më të ngushta me Moskën, e sfidon qasjen e përbashkët të BE-së.
Vendet, që marrin ende gazin rus, argumentojnë se ai është karburanti më ekonomik dhe fajësojnë vendet fqinje të BE-së për vendosjen e tarifave të larta të transitit për furnizimet alternative.
Një punëtor në një pikë karburanti në Volovets, në Ukrainën perëndimore. Edhe pas dy vjetësh e gjysmë lufte dhe rundeve të përsëritura të sanksioneve, gazi natyror rus vazhdon të rrjedhë përmes rrjetit të gazsjellësve të Ukrainës drejt klientëve në Evropë.
Ukraina ende fiton deri në 1 miliard dollarë nga tarifat e transitit të gazit rus.
Sipas llogaritjeve të agjencisë së lajmeve Reuters, Rusia fiton mbi 3 miliardë dollarë nga shitjet përmes Ukrainës, bazuar në një çmim mesatar të gazit prej 200 dollarësh për 1000 metra kub.
Gazprom-i pësoi një humbje neto prej 7 miliardë dollarësh në vitin 2023, që ishte humbja e parë vjetore që nga viti 1999, për shkak të humbjes së tregjeve të gazit në BE.
Rusia ka thënë se do të ishte e gatshme ta zgjaste marrëveshjen e transitit, por Kievi ka përsëritur vazhdimisht se nuk do ta bëjë këtë.
Një tjetër opsion për Gazprom-in është që ta dërgojë një pjesë të gazit përmes rrugëve tjera, për shembull përmes Rrjedhës Turke, Bullgarisë, Serbisë ose Hungarisë.
Megjithatë, kapaciteti përmes këtyre rrugëve është i kufizuar.
BE-ja dhe Ukraina i kanë kërkuar Azerbajxhanit që t’i ndërmjetësojë diskutimet me Rusinë, në lidhje me marrëveshjen e transitit të gazit, tha një këshilltar i presidentit azerbajxhanas për agjencinë Reuters, por ai nuk pranoi të jepte më shumë detaje./REL