Lidhje


Një tjetër amnisti për Trump/Gjykatësja federale pushon çështjen penale ndaj Trump për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020

Një gjykatëse amerikane pushoi të hënën çështjen gjyqësore lidhur me akuzat ndaj Donald Trumpit për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, pas një kërkese të prokurorëve bazuar në politikën e Departamentit të Drejtësisë kundër ndjekjes penale të një presidenti në detyrë. Vendimi i gjykatëses Tanya Chutkan i jep fund përpjekjes federale për ta mbajtur zotin Trump përgjegjës për përpjekjet e tij për të mbajtur pushtetin pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2020, duke kulmuar me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol nga një grup i mbështetësve të tij.

 

Vendimi pasoi kërkesën e Prokurorit të Posaçëm Jack Smith, i cili ka mbikëqyrur rastin për zgjedhjet dhe atë për dokumetet sekret, për të pushuar të dyja çështjet.

 

Zoti Trump është akuzuar se pas largimit nga detyra e Presidentit në 2021, ai ka mbajtur në mënyrë të paligjshme dokumete sekrete.

 

Ky vendim është një fitore e madhe ligjore për presidentin e zgjedhur republikan, i cili fitoi zgjedhjet e 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara dhe do të kthehet në detyrë më 20 janar.

 

Politika e Departamentit të Drejtësisë që cituan prokurorët daton në vitet 1970.

 

Ajo thotë se ndjekja penale e një presidenti në detyrë do të përbënte shkelje të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, duke minuar aftësinë e udhëheqësit të degës ekzekutive të vendit për të ushtruar funksionet e tij.

 

Prokurorët në një dosje në rastin e përpjekjes për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve thanë se politika e Departamentit të Drejtësisë kërkon që çështja të pushohet përpara se zoti Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

 

“Ky rezultat nuk bazohet në meritat apo forcën e çështjes kundër të pandehurit”, thuhet në dosjen e prokurorëve.

 

Prokurorët e çështjes së dokumenteve sekrete sinjalizuan se do të kërkojnë nga një gjykatë federale e apelit rikthimin e çështjes kundër dy bashkëpunëtorëve të zotit Trump, të cilët ishin akuzuar për pengim të hetimit në fjalë.

 

Zëdhënësi i zotit Trump, Steven Cheung përshëndeti vendimin, duke e quajtur atë "një fitore të madhe për sundimin e ligjit".

 

Zoti Trump përballej me akuza penale në katër raste, dy të paraqitura nga Prokurori Smith dhe dy në gjykatat shtetërore në Nju Jork dhe Xhorxhia.

 

Ai u shpall fajtor në rastin e Nju Jorkut, ndërsa çështja në shtetin e Xhorxhias, e cila gjithashtu lidhet me përpjekjet e tij për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020, ka ngecur.

 

Në një postim në rrjetet sociale, zoti Trump kritikoi të hënën çështjet ligjore ndaj tij, duke thënë se ato ishin një "pikë e ulët në Historinë e vendit tonë".

 

Veprimet e tanishme të zotit Smith, i cili u emërua në vitin 2022 nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland, janë shumë të ndryshme nga ato në kohën kur ai mori detyrën.

 

Pas ngritjes së akuzave ndaj zotit Trump në atë kohë, ai tha se bëhej fjalë për krime që kërcënonin integritetin e zgjedhjeve dhe sigurinë kombëtare të Shtetet e Bashkuara.

 

Prokurorët pranuan se zgjedhja e një presidenti i cili përballej me çështje penale krijoi një problem të pashembullt për Departamentin e Drejtësisë.

 

Gjykatësja Chutkan la të hapur mundësinë që prokurorët të mund të të ngrejnë sërish akuza ndaj zotit Trump pas largimit të tij nga detyra, por prokurorët ka të ngjarë të përballen me sfidën e kalimit të një periudhe kaq të gjatë kohore nga shkeljet e dyshuara.

 

Donald Trumpi u deklarua i pafajshëm në gusht 2023 për katër akuza federale, duke përfshirë ato për komplot për të penguar certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden.

 

Zoti Trump, i cili si president do të mbikëqyrë sërish Departamentin e Drejtësisë, pritej të urdhëronte pushimin e të dyja çështjeve penale ndaj tij, atë për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 dhe atë të mbajtjes së dokumenteve sekrete.

 

Donald Trump në maj u bë ish-presidenti i parë i shpallur fajtor për një krim pasi një juri në Nju Jork e shpalli atë fajtor për akuza penale në lidhje me mosdeklarimin e pagesës për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë për një marrëdhënie intime përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

 

Shpallja e masës së dënimit të tij në lidhje me këtë rast është shtyrë për një kohë të pacaktuar.

 

Çështja penale kundër zotit Trump në gjykatën e shtetit të Xhorxhias lidhur me zgjedhjet e vitit 2020 ka ngecur./VOA

 
 
XS
SM
MD
LG