Lidhje


Emine Erdogan në Forumin e Dohas: Ajo që po ndodh në Palestinë është "holokaust postmodern"

Zonja e Parë e Türkiyes, Emine Erdoğan, i dënoi mizoritë izraelite në territoret palestineze si një “holokaust postmodern”, duke i bërë apel bashkësisë ndërkombëtare për të kërkuar një armëpushim për të mbrojtur jetët e pafajshme, raporton Anadolu. Erdoğan i bëri këto komente gjatë një sesioni të titulluar “Një zemër për Palestinën: Ruajtja e shpresës në mes të errësirës së pushtimit dhe gjenocidit” në Forumin Doha 2024 në kryeqytetin e Katarit.

 

“Ajo që po ndodh sot në Palestinë nuk është as legjitime dhe as një manifestim i së drejtës për vetëmbrojtje. Le ta përkufizojmë qartë: është një ‘holokaust postmodern’ që po kryhet nga Izraeli në territoret palestineze”, tha ajo.

 

“Për 14 muaj, ne kemi qenë dëshmitarë të një prej sulmeve më brutale nga mizoria e organizuar ndaj ndërgjegjes kolektive të njerëzimit dhe dinjitetit të të qenit njerëzor”, shtoi Erdoğan.

 

“Nën maskën e ‘vetëmbrojtjes’, një komb i tërë, së bashku me popullin, kulturën dhe historinë e tij, po fshihet sistematikisht pa dallim mes të rinjve apo të moshuarve, grave apo burrave, të krishterë apo myslimanë”, theksoi më tej Zonja e Parë.

 

Erdoğan i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të “bashkohet rreth kësaj shprese dhe ta kthejë forcën tonë kolektive në veprim efektiv”.

 

“Për jetët e pafajshme që mund të shpëtojmë ende, le të ngremë zërin për një armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar… pikërisht tani”, shtoi Erdoğan.

 

Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 44.600 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur afro 106 mijë të tjerë.

 

Gjenocidi në Gaza, tashmë në vitin e dytë, ka tërhequr reagime ndërkombëtar në rritje, me zyrtarë dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar popullsinë palestineze.

 

Më 21 nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

 

Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza./AA

XS
SM
MD
LG