Lidhje


SHBA konfirmon kontaktet e drejtpërdrejta me grupin që rrëzoi Assadin nga pushteti

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka konfirmuar për herë të parë kontaktet e drejtpërdrejta mes administratës Biden dhe grupit Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i cili luajti një rol kyç në rrëzimin e presidentit sirian Bashar al-Assad.
 
 
Në një konferencë për shtyp në Jordani, Blinken deklaroi se këto kontakte janë pjesë e përpjekjeve për të mbështetur Sirinë në një tranzicion drejt paqes dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një shteti përfshirës dhe jo-sektar.
 
 
"Po, kemi qenë në kontakt me HTS dhe me palë të tjera,” tha Blinken nga porti i Akabas. Ai shtoi se SHBA dëshiron që populli sirian të ketë sukses dhe është gati t’i ndihmojë ata në këtë rrugëtim.
 
 
HTS, e njohur më parë si degë e Al-Kaedës, është klasifikuar nga SHBA si organizatë terroriste që nga viti 2018, çka nënkupton sanksione të rënda. Megjithatë, kjo nuk ndalon ligjërisht komunikimin mes zyrtarëve amerikanë dhe këtij grupi.
 
 
Lideri i HTS-së, Ahmad al-Sharaa, i njohur si Abu Mohammed al-Golani, në një intervistë për televizionin sirian, nuk i komentoi kontaktet e drejtpërdrejta me SHBA-në, por theksoi se autoritetet e reja në Damask janë në kontakt me ambasadat perëndimore. Ai siguroi publikun se grupi synon të shmangë konfliktet dhe të përqendrohet në stabilizimin e vendit.
 
 
Një deklaratë e përbashkët nga ministrat e jashtëm të SHBA, tetë vendeve arabe, Turqisë, BE-së dhe OKB-së bëri thirrje për ndalimin e armiqësive në Siri dhe për një proces politik tranzitor të udhëhequr nga populli sirian. Deklarata gjithashtu theksoi rëndësinë e parandalimit të rikthimit të grupeve ekstremiste dhe asgjësimit të armëve kimike.
 
 
Blinken gjithashtu nënvizoi përparësinë e vazhdimit të rolit të Forcave Demokratike Siriane të mbështetura nga SHBA, duke theksuar se ky moment pasigurie mund të shfrytëzohet nga grupi terrorist i Shtetit Islamik për t’u rikthyer.
 
 
Sekretari Blinken tha gjithashtu se SHBA po vazhdon përpjekjet për të gjetur gazetarin amerikan Austin Tice, i zhdukur prej 12 vitesh pranë Damaskut. “I kemi bërë të qartë të gjitha palëve me të cilat kemi qenë në kontakt rëndësinë e gjetjes së Austin Tice dhe kthimit të tij në shtëpi,” shtoi ai./joq
 
 
XS
SM
MD
LG