SHBA, përgatitet projektligj që i jep Trumpit "kompetencë të zhvillojë bisedime për të blerë Grenlandën"
Republikanët në Kongresin Amerikan paraqitën në Dhomën e Përfaqësuesve një projektligj që i jep kompetencë presidentit të zgjedhur Donald Trump të "blejë Grenlandën nga Danimarka", transmeton Anadolu. Projektligji, i cili u shfaq në mediat amerikane dhe u prezantua me titullin "Make Greenland Great Again Act", u përgatit nga kongresmeni republikan Andy Ogles.
Projektligji i mbështetur nga shumë republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve, autorizon Trumpin sapo të bëhet president që të "zhvillojë negociata me Danimarkën për të blerë Grenlandën".
Republikanët, të cilët mbajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, mund ta miratojnë projektligjin në të dy dhomat e Kongresit.
Që ligji të hyjë në fuqi, ai duhet të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, si dhe të nënshkruhet nga presidenti.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Trump, ka deklaruar më parë se synon të blejë Grenlandën për interesat kombëtare dhe ekonomike të SHBA-së./AA