Netanyahu: Hamasi po krijon “krizë” në minutën e fundit! Organizata: Jemi të përkushtuar ndaj marrëveshjes
Thursday, 16 January 2025 18:56
Një takim i kabinetit të sigurisë të Izraelit për të miratuar një armëpushim dhe marrëveshje pengjesh me Hamasin është shtyrë për më vonë, pasi negociatorët në Katar thuhet se po punojnë për të sqaruar detajet përfundimtare. Zyra e Netanyahut pretendoi se Hamasi ka refuzuar kushte të caktuara dhe po krijon një “krizë” të minutës së fundit për të finalizuar marrëveshjen për lirimin e pengjeve. “Hamasi po tërhiqet nga marrëveshjet dhe po krijon një krizë të minutës së fundit që pengon arritjen e një marrëveshjeje”, thuhet në deklaratë.
“Kabineti izraelit nuk do të mblidhet derisa ndërmjetësit të informojnë Izraelin se Hamasi ka pranuar të gjitha elementet e marrëveshjes”, thuhet më tej në deklaratën e zyrës së Netanyahut.
Sipas transmetuesit publik Kan, mbledhja e kabinetit, e cila pritej të mbahej në orën 11:00, me kohën lokale, u shty.
Hamasi: Jemi të përkushtuar t’i përmbahemi marrëveshjes së shpallur nga ndërmjetësit
Nga ana tjetër, Hamasi ka njoftuar zyrtarisht, përmes një zyrtari të lartë, se është i përkushtuar t’i përmbahet marrëveshjes së armëpushimit të shpallur nga ndërmjetësit. Armëpushimi është planifikuar të hyjë në fuqi të dielën në orën 12:15. Sipas përshkrimit, tre pengjet e parë pritet të kthehen në Izrael atë ditë.
Plani i rënë dakord dje nga Izraeli dhe Hamasi duket se është i ndarë në tre faza, me kohëzgjatje nga dy javë secila, në të cilat, përveç lirimit të pengjeve dhe shkëmbimit të të burgosurve, ka një angazhim nga pala izraelite për një rritje të menjëhershme të ndihmës humanitare brenda enklavës palestineze por edhe tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite nga pjesë të veçanta të Gazës.
Pak para mesnatës të së mërkurës, dokumentet (në anglisht dhe arabisht) u publikuan duke detajuar hapat e saktë që duhet të ndërmerren për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit.
Shihni dokumentet:
Brenda gjashtë javësh, të dyja palët duhet të respektojnë kushtet e dakorduara, të cilat përfshijnë kthimin e 33 pengjeve që kanë qenë në duart e Hamasit që nga 7 tetori dhe lirimin e një numri të caktuar të burgosurish palestinezë nga burgjet izraelite.
“Qëllimi i palëve dhe ndërmjetësuesve është arritja e një konsensusi përfundimtar për zbatimin e marrëveshjes së 27 majit 2024 për shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve dhe kthimin e paqes së qëndrueshme që do të arrijë një armëpushim të përhershëm mes palëve”, thuhet në tekstin e marrëveshjes.
Drafti i armëpushimit nuk përfshin afat kohor për tërheqjen përfundimtare të të gjithë ushtrisë izraelite nga Gaza, një çështje që Donald Trump thuhet se ka vendosur ta diskutojë në mënyrë dypalëshe me Benjamin Netanyahun sapo ai të betohet si presidenti i 47-të i SHBA të hënën e ardhshme./vizionplus.tv