Lidhje


86 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite që pas njoftimit të marrëveshjes për armëpushim

Të paktën 86 palestinezë kanë humbur jetën dhe mbi 250 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite në Gaza që prej njoftimit të marrëveshjes për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit të mërkurën, sipas Shërbimit të Mbrojtjes Civile në Gaza.

 

Armëpushimi, i cili u negociua në Doha të Katarit pas muajsh bisedimesh, pritet të nisë të dielën, me fazën e parë që ende pret miratimin e kabinetit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Nëse faza e parë është e suksesshme, e dyta do të nisë pas 42 ditësh, sipas kryeministrit të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.

 

Zyra e Netanyahu-t akuzoi Hamasin se po përpiqet të heqë dorë nga disa pjesë të marrëveshjes, por kjo u mohua nga Hamasi, i cili deklaroi se është i angazhuar në përmbushjen e saj.

 

Që nga 7 tetori 2023, kur Hamasi kreu një sulm në Izrael, të paktën 46,788 palestinezë janë vrarë dhe mbi 110,453 të tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Në sulmin fillestar të Hamasit u vranë 1200 izraelitë dhe 253 persona u morën peng.

 

Izraeli pretendon se gjatë konfliktit ka vrarë mbi 15,000 militantë të Hamasit dhe drejtuesit e tij kryesorë, përfshirë Ismail Haniyeh, Yahya Sinwar dhe Mohammed Deif.

 

Ky konflikt i përgjakshëm ka shkaktuar një krizë të thellë humanitare në Gaza dhe ndërkombëtarët shpresojnë që marrëveshja e fundit për armëpushim të sjellë paqe të qëndrueshme./JOQ

XS
SM
MD
LG