Lidhje


Projekti kinez $37 miliardë që po ngadalëson rrotullimin e Tokës dhe po zhvendos polet

Një nga projektet më të mëdha të njerëzimit po ndikon në rrotullimin e Tokës. Diga gjigante Three Gorges, e ndërtuar mbi lumin Yangtze në Kinë, është centrali më i madh i energjisë në botë. Ky mregaprojekt, i përfunduar në vitin 2006, zgjati 17 vite për t'u ndërtuar dhe kushtoi plot 37 miliardë dollarë. Aktualisht, diga prodhon rreth 0.54 teravat-orë energji elektrike çdo ditë, mjaftueshëm për të furnizuar 5.4 milionë familje për një muaj.

 

Përveç prodhimit të energjisë dhe parandalimit të përmbytjeve shkatërruese në zona të ulëta, projekti ka pasur pasoja të mëdha për planetin. Sipas NASA-s, zhvendosja e masës së madhe të ujit prej 40 kilometra kub (rreth 10 trilion gallon) ka ndikuar në inercinë e Tokës, duke e bërë rrotullimin e saj më të ngadaltë.

 

Dr. Benjamin Fong Chao, gjeofizikan në Qendrën e Fluturimeve Hapësinore Goddard të NASA-s, ka sqaruar se kjo masë e madhe uji krijon një rezistencë të vogël ndaj rrotullimit të Tokës, duke zgjatur ditën me rreth 0.06 mikrosekonda dhe duke zhvendosur pozicionin e poleve të Tokës me afërsisht dy centimetra.

 

Diga Three Gorges shkaktoi zhvendosjen e 1.5 milionë banorëve dhe përmbytjen e 13 qyteteve e mbi 1,400 fshatrave. Gjithashtu, NASA ka ngritur shqetësime për ndikimet mjedisore, përfshirë: Aktivitetin sizmik dhe rrëshqitjet e dheut, ndotjen e akumuluar dhe ndryshimet në ekosistemet lokale, shtimin e sëmundjeve të transmetuara nga uji dhe ndryshimet në salinitetin e lumit Yangtze.

 

Kina planifikon një projekt edhe më të madh në lumin Yarlung Zangbo, që pritet të jetë trefish më i fuqishëm. Ky plan i ri ka ngjallur shqetësime të reja për ndikimin e tij mbi mjedisin dhe stabilitetin e planetit tonë.

 

Ndërsa ndikimi i këtyre projekteve mund të duket i vogël në pamje të parë, ekspertët theksojnë se ndryshime të tilla duhet të na shërbejnë si paralajmërim për kujdesin që duhet të tregojmë ndaj planetit tonë./joq

XS
SM
MD
LG