Për herë të parë në më shumë se 2 dekada, I.zraeli vendos tanke në Bregun Perëndimor të pushtuar

Për herë të parë në më shumë se dy dekada, ushtria izraelite ka vendosur tanke në Bregun Perëndimor të pushtuar në mes të përshkallëzimit ushtarak në territorin e pushtuar.
Ushtria izraelite tha se trupat e Brigadës së Këmbësorisë Nahal dhe Njësisë së Komandës Duvdevan filluan operacionet në disa fshatra pranë Jeninit në pjesën veriore të Bregut Perëndimor.
Transmetuesi publik izraelit KAN tha se vendosja e tankeve është pjesë e “përgatitjeve më të gjera për një zgjerim të operacioneve ushtarake në pjesën veriore të Bregut Perëndimor”.
Kjo shënon herën e parë që nga viti 2002 kur ushtria izraelite vendosi tanke në kuadër të operacionit ushtarak ‘Mburoja Mbrojtëse’ në Bregun Perëndimor.
Ushtria ka kryer operacione ushtarake në Bregun Perëndimor verior që nga muaji i kaluar, duke vrarë të paktën 60 palestinezë dhe duke detyruar zhvendosjen e mijëra të tjerëve.
Këto operacione ishin të fundit në përshkallëzimin e vazhdueshëm ushtarak të Izraelit në Bregun Perëndimor, ku të paktën 923 palestinezë janë vrarë dhe rreth 7 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve të paligjshëm që nga fillimi i sulmeve kundër Rripit të Gazës më 7 tetor të vitit 2023.
Në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se pushtimi afatgjatë i territoreve palestineze nga Izraeli është i paligjshëm, duke kërkuar evakuimin e të gjitha vendbanimeve të paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor./AA