Vajza 4-vjeçare shpëton shqiptarin nga dëbimi në Angli: I duhet një figurë atërore

Një shqiptar i dënuar me tre vjet burg për drejtimin e një fabrike kanabisi në Britani ka shmangur dëbimin, pasi gjykata vendosi se largimi i tij do të dëmtonte vajzën e tij katërvjeçare. Xhoni Leka, i cili kishte hyrë ilegalisht në Britani në 2013 dhe ishte refuzuar disa herë për qëndrim, u kap së bashku me bashkëpunëtorin e tij duke menaxhuar një plantacion me 1300 bimë kanabisi në Cumbria.
Pasi u burgos, Home Office lëshoi një urdhër për dëbimin e tij në Shqipëri, por Leka apeloi, duke argumentuar se largimi do të shkelte të drejtën e tij për një jetë familjare sipas Nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata e Imigracionit anuloi urdhrin e deportimit, duke theksuar se ai luante një rol kyç në sigurimin e stabilitetit financiar dhe emocional për vajzën e tij dhe se dëbimi do të kishte pasoja të rënda për të.
Gjykatësit gjithashtu vlerësuan se gruaja e Lekës, me shtetësi çeke, do ta kishte të vështirë të jetonte në Shqipëri, pasi nuk flet shqip dhe nuk ka familje atje. Home Office argumentoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për ndikimin negativ tek vajza, por gjykata vendosi në favor të Lekës, duke mbizotëruar të drejtat e tij familjare mbi interesin publik për dëbimin. Vendimi ka shkaktuar reagime, me kritikë nga konservatorët që e kanë quajtur atë “absurd” dhe kanë kërkuar daljen e Britanisë nga EHCR./JOQ