Trump: Do të marrim Groenlandën, qind për qind, nuk e përjashtoj forcën ushtarake

Presidenti i SHBA, Donald Trump, la të kuptohet se mund të përdorte forcën ushtarake për të marrë nën kontroll Groenlandën – në shenjën e fundit të fiksimit të Uashingtonit me territorin autonom në mbretërinë e Danimarkës. “Ne do të marrim Grenlandën. Po, 100 për qind,” tha Trump për NBC.
“Ka një mundësi të mirë që mund të bëhet pa forcë ushtarake”, tha ai, duke shtuar megjithatë se “nuk heq asgjë nga tavolina”, transmeton Telegrafi. Të premten, qeveria e Groenlandës njoftoi një marrëveshje për një koalicion midis demokratëve të Grenlandës dhe partive të tjera.
Obsesioni i Trump me ishullin strategjik dhe të pasur me minerale është forcuar në javët e fundit.
Ai e bëri këtë çështje një prioritet kryesor të sigurisë kombëtare, dhe u tha gazetarëve të premten se “duhet të kemi” territorin për të siguruar pozicionin e SHBA-së në Arktik.
Komentet e presidentit amerikan vijnë pas një jave tensionesh diplomatike midis SHBA-së dhe Danimarkës, dhe pas vizitës së zëvendëspresidentit të SHBA, JD Vance në Groenlandë.
Duke folur nga baza hapësinore e SHBA-së, Pituffik në bregun verilindor të Groenlandës të premten, Vance tha se ndërhyrja ushtarake nuk do të ishte e nevojshme nëse grenlandezët vendosin të shkëputen nga Kopenhaga dhe të “përfundojnë një marrëveshje” me Uashingtonin.
Vance gjithashtu kritikoi Danimarkën, duke thënë se nuk kishte bërë një punë të mirë për popullin e Groenlandës. Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen u përgjigj duke publikuar një video ku e dënoi udhëtimin e nënpresidentit amerikan si mungesë respekti dhe duke kritikuar “tonin” e tij.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se do të vizitojë ishullin në ditët në vijim për të forcuar bashkëpunimin midis Grenlandës dhe Danimarkës. Ndryshe nga Vance, ajo do të takohet me përfaqësues të qeverisë dhe banorë vendas. /tpz.al