BE gjobit “Apple” dhe “Meta” me 500 milionë euro, ja arsyeja

Komisioni Evropian ka vendosur gjoba të mëdha ndaj dy prej gjigantëve të teknologjisë, Apple dhe Meta, për shkelje të rregullores së re digjitale të Bashkimit Evropian, sipas një raportimi nga Politico.eu.
Apple është gjobitur me 500 milionë euro, për shkak të shkeljeve në funksionimin e “App Store”-it, ndërsa Meta përballet me një gjobë prej 200 milionë eurosh lidhur me modelin e saj të reklamimit “paguaj ose mirato”. Ky model i kërkon përdoruesve evropianë të paguajnë për të pasur akses në versionet pa reklama të Facebook dhe Instagram.
Gjobat janë vendosur në bazë të Aktit të Tregjeve Digjitale (DMA), një rregullore e re që hyri në fuqi në vitin 2024 dhe përcakton mënyrën e funksionimit të kompanive të mëdha teknologjike brenda tregut të BE-së.
Masat ndëshkuese erdhën si rezultat i hetimeve që kanë zgjatur një vit, mbi praktikat e kompanive amerikane të teknologjisë. Përveç gjobës, ndaj Apple është lëshuar edhe një urdhër pushimi dhe ndalimi, i cili kërkon ndryshime konkrete në produktet e saj përpara fundit të qershorit. Nëse nuk i zbaton këto kushte, kompania do të përballet me gjoba ditore për çdo ditë shkeljeje.
Ndërkohë, Komisioni është ende në proces vlerësimi të ndryshimeve të ndërmarra nga Meta në fund të vitit të kaluar, të cilat synojnë të përputhen me kërkesat e DMA-së.
Një zyrtar i lartë i BE-së ka theksuar se në përcaktimin e gjobave është marrë parasysh se këto janë ndër masat e para ndëshkuese të ndërmarra sipas rregullores së re. Për rastin e “Meta”-s, vlen të theksohet se shkelja është ndalur që në nëntor, pak muaj pasi Brukseli ngriti shqetësime për këtë çështje.
Komisioni Evropian gjithashtu ka përfunduar një hetim ndaj “Apple” për përputhshmërinë e saj me rregullat e DMA-së sa i përket shfletuesve të internetit dhe aplikacioneve të paracaktuara, pasi kompania ndërmori disa ndryshime që lejuan konkurrentë si Mozilla të kenë më shumë hapësirë në pajisjet me sistemin operativ iOS.
“Apple dhe Meta nuk kanë respektuar rregullat e DMA-së, duke vendosur masa që forcojnë varësinë e përdoruesve – qofshin ata konsumatorë apo biznese – nga platformat e tyre. Për këtë arsye, kemi ndërmarrë masa të forta por të balancuara, duke u bazuar në rregulla të qarta dhe të parashikueshme”, tha në një deklaratë për shtyp komisionerja për Konkurrencën, Teresa Ribera./oranews