Kërcënoi qytetarët “do t’u marr zvarrë”, procedohet penalisht Flamur Noka

Flamur Noka, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike është proceduar penalisht në gjendje të lirë, i akuzuar për veprën penale “Kanosja/dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Sipas policisë, procedimi ndaj Nokës nisi pas një kallëzimi të bërë nga dy shtetas, Xh. A., 29-vjeç dhe M. D., 33-vjeç, të cilët e kanë akuzuar atë se i ka penguar dhe kanosur gjatë ushtrimit të së drejtës për të votuar.
Në një video të publikuar disa orë më parë, Flamur Noka shfaqej duke akuzuar një qytetar për intimidimin e votuesve në qendrën e votimit, ndërsa qytetari i ktheu akuza Nokës, duke e quajtur atë mashtrues dhe duke pretenduar se ky i fundit ka dërguar njerëz në shtëpi për të blerë vota.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, pasi komunikimit me Prokurorin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. N, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, për veprën penale “Kanosja/dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Procedimi në gjendje të lirë nisi pasi në bazë të kallëzimeve të shtetasve Xh. A., 29 vjeç dhe M. D., 33 vjeç, ky shtetas ditën e sotme, në Vorë, i ka penguar dhe kanosur për të ushtruar të drejtën e votimit. Materialet procedurale do t’i referohen Spak, për hetime të metejshme./joq