Hakerat iranianë sulmojnë Bashkinë e Tiranës, paralajmërojnë sulm ndaj kampit në Manzë

Grupi i hakerave iranianë “Homeland Justice” ka rikthyer kërcënimet ndaj Shqipërisë, duke publikuar në rrjetet sociale një mesazh të ashpër, i nxitur nga tensionet mes Iranit dhe Izraelit.
Në deklaratën e shpërndarë në Telegram, ata paralajmërojnë se iranianët kanë “të drejtë ligjore” të sulmojnë me raketa kampin e Muxhahedinëve në Manzë, për shkak të strehimit që u është dhënë nga Shqipëria. Mesazhi i tyre përfshin fjalë si “Po endesh afër vdekjes”, duke akuzuar Shqipërinë për strehimin e mbi 3000 personave që ata i quajnë “terroristë”.
Paralelisht, grupi ka marrë përsipër një sulm kibernetik ndaj faqes zyrtare të Bashkisë Tiranë që po zhvillohet sot.
Ndër të tjera në mesazh shkruhet: “Po endesh afër Vdekjes. Mbi 3000 terroristë u vendosën në Shqipëri. Toka shqiptare ishte e detyruar të strehonte këta egërsira. Është mjaft e kuptueshme për shqiptarët mikpritës. Shpresojmë që iranianët (të cilët tani kanë të drejtën ligjore për të lëshuar raketat e tyre mbinatyrore në kampin e Manzës) ta kuptojnë këtë. Homeland Justice.”
Kjo nuk është hera e parë që grupi i hakerave iranianë ndërmerr sulme kibernetike ndaj Shqipërisë, pasi më herët disa sulme që nxorën në publik dhe të dhëna kofidenciale të shqiptarëve, iu atribuan nga pushteti këtyre hakerave.
Për këtë arsye kryeministri Edi Rama doli në një konferencë ku njoftoi dhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.