6 destinacione të reja me Ryanair nga Rinasi
6 linja të reja ajrore loë cost i shtohen Ryanair, kompanisë lider në Europë që operon në vendin ton që prej nëntorit të vitit që lamë pas, duke e çuar në 22 numrin e destinacioneve të fluturimeve. CEO i Ryanair Michael O’Leary u shpreh se këto destinacione të reja dhe çmimet e ulëta do të rrisin trafikun ajror të Ryan Air në 2024-ën me mbi 3 milionë pasagjerë. Drejtori i aeroportit të Rinasit Piervittorio Farabbi bëri të ditur se vitin e ardhshëm parashikohet një fluks prej 9 mln pasagjerësh, ndaj sipas tij është e domosdoshme rritja e kapaciteteve të aeroportit.
Michael O’Leary, Ceo i Ryanair: Jemi shumë të lumtur t’ju prezantojmë programin e sezonit veror 2024 për udhëtimet nga Tirana drejt 22 destinacioneve, duke përfshirë 6 destinacione të reja në Bari, Birmingham, Bristol, Budapest, Marsejë dhe Vienë. Dua të shoh rritjen tonë me 1.6 milionë udhëtarë në vitin e parë, 3.2 milionë në vitin e dytë, 5 milionë në vitin e tretë.
O’ Leary bëri të ditur se objektiv kryesor i kompanisë së fluturimeve mbetet ndërtimi I një baze në tiranë, përmes së cilës do të punësohet personel vendas, po për këtë kërkohet ndërhyrje në politikat fiskale.
Michael O’Leary: Po bisedojmë me qeverinë dhe kërkojmë që të hiqet taksa e turistëve prej 2 euro në 0 sepse kjo i jep avantazh konkurrues të madh vendit dhe bën që të vijnë sa më shumë turistë. Në qoftë se nuk do të kemi këto lloj taksash ne mund të ndërtojmë bazën tonë shumë shpejtë në Tiranë, të punësojmë pilotë e inxhinierë shqiptarë dhe të prezantojmë destinacione te reja.
“E mbyllëm vitin më 7.25 milionë pasagjerë, që ishte më shume se 120% se viti i kaluar. Këtë vit do ketë rritje të vazhdueshme, dhe presim rreth 9 milionë pasagjerë në mbyllje të vitit. Gjëja e mirë është që po ndërtojmë marrëdhënie të frytshme me partnerët tanë, duke e shtuar numrin e aeroplanëve blu”, tha ai.
Gjatë 5 viteve të ardhshme, Ryanair-do të vazhdojë të investojë dhe të rritet në Shqipëri, duke ofruar më shumë rrugë, tarifa më të ulëta e turizëm. Ndërkohë që qytetarët shqiptarë tani mund të rezervojnë në 22 linjat e Ryanair për vetëm 19,99€.
Nga Klan tv