Macron: Srebrenica mbetet një njollë e përhershme në kujtesën e Evropës

Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, deklaroi se Srebrenica mbetet një njollë e përhershme në kujtesën e Evropës dhe të gjithë botës, dhe se kjo e obligon bashkësinë ndërkombëtare ndaj së vërtetës dhe drejtësisë.
Mesazhi i Macronit u lexua në Potoçari nga Benjamin Haddad, ministri francez për çështjet evropiane, gjatë ceremonisë përkujtimore me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.
Ai theksoi se bota sot e kujton gjenocidin në Srebrenicë si njërin nga krimet më të tmerrshme në Evropë gjatë shekullit të kaluar, duke u përulur përpara viktimave dhe duke shprehur solidaritet dhe ngushëllime për të mbijetuarit.
“Srebrenica mbetet një njollë e përhershme në kujtesën e Evropës dhe të gjithë botës. Na detyron ndaj së vërtetës dhe drejtësisë. E vërteta është pranimi i përmasës dhe peshës së papërshkrueshme të një krimi të nxitur nga urrejtja etnike. Është pranimi se para 30 vitesh bashkësia ndërkombëtare nuk arriti t'i mbrojë civilët në këtë vend. Ky është pranimi i një dështimi, me qëllim që të mos përsëritet kurrë më dhe që të ndërtohet një e ardhme e përbashkët,” tha Macron.
Presidenti francez në mesazhin e tij po ashtu theksoi se vendimet gjyqësore duhet të respektohen dhe se nuk ka vend për revizionizëm dhe mohime në një hapësirë që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Duke kujtuar se Franca dhe Gjermania, pas Luftës së Dytë Botërore, arritën të ndërtojnë një perspektivë të përbashkët, Macron shtoi se kjo perspektivë paqeje dhe evropiane është ajo që duan të ndajnë edhe me të gjithë Bosnjën e Hercegovinën.
“Franca do të qëndrojë pranë jush, për t’ju mbështetur në rrugën e vështirë të pajtimit dhe ndërtimit të një të ardhmeje paqësore dhe të begatë në një Evropë të bashkuar,” ishte mesazhi i tij.
Sot do të varrosen mbetjet mortore të shtatë viktimave të tjera të gjenocidit në Srebrenicë, i kryer nga Ushtria e Republikës Sërpska dhe bashkëpunëtorët e saj në korrik 1995, në ceremoninë kolektive të varrimit në Qendrën Përkujtimore në Srebrenicë – Potoçari./trt