Epstein, edhe në dasmën e Trump/ CNN nxjerr pamjet, acarohet Presidenti amerikan: Po bëni shaka?!

Pamje dhe foto të reja arkivore kanë hedhur dritë mbi marrëdhënien e dikurshme mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Jeffrey Epstein, përfshirë pjesëmarrjen (e padokumentuar më parë) të Epstein në dasmën e Trump me Marla Maples në vitin 1993.
CNN, përmes seksionit investigativ KFile, ka siguruar video ekskluzive nga një event mode i “Victoria’s Secret” në vitin 1999, ku Trump dhe Epstein shihen duke qeshur dhe biseduar si dy miq, pak para fillimit të sfilatës. Në të njëjtën linjë, pamje të tjera të publikuara për herë të parë tregojnë Epstein të pranishëm në dasmën e Trump në hotelin “Plaza” në New York, si dhe në disa evente të tjera nga fundi i viteve ’90.

Fotot dhe videot, të pakta në numër dhe të papublikuara më parë, vijnë në një kohë kur është rritur presioni ndaj Departamentit Amerikan të Drejtësisë për të bërë publike dosjet e premtuara mbi bashkëpunëtorët e mundshëm të Epstein. Disa figura brenda lëvizjes MAGA të Trump janë shprehur të zhgënjyer që “e vërteta” ende nuk ka dalë në dritë.
I pyetur shkurtimisht nga CNN për fotot e dasmës, Presidenti Trump u përgjigj: “Duhet të jeni duke bërë shaka,” dhe më pas e mbylli telefonatën, duke e quajtur CNN “fake news”.

Nga ana tjetër, drejtori i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, deklaroi se “këto janë foto të shkëputura nga konteksti, nga evente të zakonshme publike, që përdoren në mënyrë të neveritshme për të aluduar diçka të errët”. Ai theksoi se Trump “e kishte përjashtuar Epstein nga klubi i tij për shkak të sjelljes së papërshtatshme”.
Sipas CNN, marrëdhënia e Trump me Epstein filloi në vitet ’80 dhe përfshinte evente të shumta në Palm Beach dhe New York. Ata thuhet se u distancuan nga njëri-tjetri në mes të viteve 2000 për një konflikt mbi një pronë luksoze.
Në librin e tij të vitit 2004 “Trump: How To Get Rich”, Trump përmend një telefonatë nga një “Jeffrey misterioz”, për të cilin shkruan se “nuk ka nevojë për mbiemër”. Edhe pse nuk e konfirmon në mënyrë eksplicite, shumë dyshojnë se bëhet fjalë për Epstein.

Në vitin 2000, një fotografi e Palm Beach Post tregon Trumpin, Ghislaine Maxwell-in dhe princin Andrew në të njëjtin event bamirësie në Mar-a-Lago.
Më vonë, në 2003-in, sipas Wall Street Journal, një mesazh urimi i nënshkruar me emrin e Trump u dërgua për ditëlindjen e Epstein, me një vizatim të një femre nudo dhe një shënim të koduar.
Trump ka mohuar autorësinë e këtij mesazhi dhe ka paditur Wall Street Journal për shpifje.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë po zhvillon bisedime me Ghislaine Maxwell për të shqyrtuar mundësinë e dëshmisë së saj. Avokati i saj i tha CNN se “Maxwell do të dëshmojë gjithmonë me të vërtetën” dhe falënderoi Trumpin “për angazhimin e tij për zbardhjen e kësaj çështjeje”./tvklan.al