Lidhje


‘Janë kthyer në kufoma që ecin!’ Agjencia e OKB-së jep alarmin për fëmijët në Gaza

Kriza humanitare në Rripin e Gazës ka arritur nivele alarmante, me një në pesë fëmijë në Qytetin e Gazës që vuajnë nga kequshqyerja, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).

 

Në një deklaratë të lëshuar të enjten, Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-s, Philippe Lazzarini, tha se situata është aq e rëndë, saqë një koleg i tij në terren e përshkroi kështu: “Njerëzit në Gaza nuk janë as të vdekur as të gjallë, ata janë kufoma në këmbë.”

 

Sipas UNRWA-s, më shumë se 100 persona – shumica dërrmuese fëmijë – dyshohet se kanë vdekur nga uria, ndërsa rastet e kequshqyerjes po rriten me ritme të frikshme. Lazzarini bëri thirrje urgjente që Izraeli të lejojë akses të pakufizuar dhe të pandërprerë për ndihmat humanitare.

 

“Shumica e fëmijëve që ekipet tona po shohin janë të dobët, të pafuqishëm dhe në rrezik të lartë vdekjeje nëse nuk marrin trajtimin që u nevojitet urgjentisht,” tha ai. Ai shtoi gjithashtu se punonjësit e UNRWA-s po bien të fikët nga uria ndërsa janë në detyrë, duke paralajmëruar se i gjithë sistemi humanitar është në prag të kolapsit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) theksoi të mërkurën se një pjesë e madhe e popullsisë së Gazës është në proces “vdekjeje nga uria”. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi: “Nuk di si ta quash ndryshe përveçse uri masive – dhe ajo është e shkaktuar nga njeriu.”

 

Izraeli, i cili kontrollon hyrjen e furnizimeve në Gaza, mohon ekzistencën e një rrethimi dhe fajëson Hamasin për kequshqyerjen dhe kaosin pranë vendeve të ndihmave. Megjithatë, OKB-ja paralajmëron se niveli i ndihmave është “i pakët” dhe se kriza aktuale e urisë nuk ka pasur precedent.

 

Pas një bllokade të plotë në mars, shpërndarja e ndihmave u lehtësua pjesërisht, por mungesa e ushqimeve, karburantit dhe ilaçeve vazhdon të përkeqësohet. Së bashku me SHBA-në, Izraeli ka krijuar një sistem të ri shpërndarjeje ndihmash, të drejtuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), por ndërhyrjet mbeten të kufizuara dhe shpesh të rrezikshme për civilët.

 

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin./ballkanweb

XS
SM
MD
LG