Banesat/ Pagesa e mirëmbajtjes me detyrim: Gjobë për ata që refuzojnë të bashkëpunojnë ose nuk paguajnë

Ligji i ri për administrimin e ambienteve të përbashkëta në pallatet shumëkatëshe parashikon që çdo banor të kontribuojë financiarisht për mirëmbajtjen e godinës, përmes pagesave mujore të detyrueshme.
Megjithatë erkspertët thonë se për personat e moshës së tretë, që shpesh kanë të ardhura të kufizuara, kërkohet një qasje më e kujdesshme.Ekspertët theksojnë nevojën për tolerancë dhe mirëkuptim nga ana e administratorëve, duke propozuar modele fleksibël pagesash apo mbështetje shtesë për këtë kategori.
Tashmë, çdo shkallë, ashensor, tarracë, oborr apo garazh do të jetë pjesë e dokumentacionit zyrtar si pasuri e përbashkët.
Çdo pallat do të ketë një administrator të certifikuar, i cili do të mbledhë pagesat mujore do të kujdeset për mirëmbajtjen dhe do të raportojë një herë në vit për të gjitha shpenzimet.
Në një intervistë për Ora News agjenti imobiliar Orgest Beti thekson se ky rregullim ligjor është një hap i rëndësishëm për menaxhimin e hapësirave të përbashkëta.
‘’Ligji i bashkëpronësisë ka qenë funksional, tashmë me ndryshimet e reja unë mendoj se ka ardhur më i plotësuar.
Ligji i bashkëpronësisë do ti bëjë të mundur shumë nga personat që jetojnë në një ambient të përbashkët komunitar që të kenë të drejta por sigurisht që të kenë edhe detyrimë. Dhe kjo tashmë do të jetë e sanksionuar me ligj’’.
Mosbashkëpunimi ose mospagesa nuk do të jetë më thjesht një tekë personale, por do të shoqërohet me gjoba.
Megjithatë, Beti shton se për pensionistët dhe personat e moshës së tretë, që janë pronarë banesash, duhet gjetur një zgjidhje që të ketë më shumë tolerancë dhe mirëkuptim nga ana e administratorit.
‘’Deri tani ligji nuk parashikon që pensionistët të jenë të përjashtuar por mendoj se do të ketë disa sugjerime që nëpërmjet një konsensusi të përbashkët mes banorëve dhe administratorëve mbase atyre do ti shyhet pak pagesa në muaj në kohështrirje ose mund të kenë një tarifë pak më të reduktuar se banorët e tjerë’’.
Ligji për menaxhimin e ambienteve të përbashketa i jep fund shumë paqartësive dhe abuzimeve që kanë ekzistuar deri më tani.
Vendimet e shumicës së banorëve janë detyruese për të gjithë, edhe për ata që nuk marrin pjesë në mbledhje.
Për herë të parë, edhe ndërtuesit kanë detyra të qarta: ata duhet të menaxhojnë pallatin deri sa banorët të marrin certifikatën e pronësisë dhe të dorëzojnë dokumentet e bashkëpronësisë në Kadastër.
Transparenca do të garantohet edhe përmes platformës e-Albania, ku çdo banor mund të shohë dokumentet e bashkëpronësisë dhe të kontrollojë si menaxhohet godina./tpz