Covid rikthehet fuqishëm në Itali, regjistrohen infektimet javore më të larta për 2025

Italia ka regjistruar javën me numrin më të lartë të rasteve me Covid-19 për vitin 2025, duke shënuar 2,050 infeksione të reja në periudhën 28 gusht – 3 shtator, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë (ISS).
Ky është numri më i lartë javor që nga fillimi i vitit dhe përfaqëson një rritje prej 45% krahasuar me javën e mëparshme. Ekspertët e lidhin këtë shtim të rasteve me përhapjen e variantit të ri Stratus (XFG), pjesë e familjes Omicron, i cili është më pak i rëndë, por më ngjitës dhe arrin t’i shmanget më lehtë mbrojtjes së sistemit imunitar. Sipas virologut Fabrizio Pregliasco, ky variant po qarkullon me intensitet dhe ka potencial për të shkaktuar gjendje të rënda tek të moshuarit apo të sëmurët kronikë, ndonëse në shumicën e rasteve shfaq simptoma të ngjashme me ato të Omicron: dhimbje fyti, kollë, ethe, ngjirje zëri dhe në disa raste edhe humbje e nuhatjes apo shijes.
Pavarësisht rritjes së infektimeve, situata në spitale mbetet e qëndrueshme, me vetëm 1.2% të shtretërve të zakonshëm të zënë nga pacientë me Covid dhe 0.3% në terapi intensive. Të dhënat tregojnë se grupmosha më e prekur është ajo mbi 80 vjeç, ndaj ekspertët apelojnë për vaksinime përforcuese për kategoritë më të rrezikuara. OBSH ka vlerësuar se varianti Stratus nuk paraqet një rrezik të shtuar për ashpërsinë e sëmundjes, megjithatë qarkullimi i tij mund të çojë në rritje të rasteve dhe shtrimeve spitalore në muajt në vijim.
Covid-19, edhe pse jo më në qendër të vëmendjes si në vitet e pandemisë, mbetet një virus aktiv që vazhdon të pësojë mutacione dhe të shkaktojë infeksione periodike, ndaj autoritetet këshillojnë kujdes të vazhdueshëm, sidomos për të moshuarit dhe personat vulnerabël./joq