Lidhje


NATO përgatit përgjigje ushtarake ndaj incidentit me dronë në Poloni

NATO po përgatit një “përgjigje ushtarake mbrojtëse” ndaj incidentit me dronë që ndodhi në hapësirën ajrore të Polonisë, me qëllim forcimin e krahut lindor të aleancës, raporton Bloomberg duke cituar burime të afërta me çështjen.

 -

Sipas raportimit, aleanca po shqyrton dy nivele reagimi: një politik dhe një ushtarak. Reagimi politik është dhënë tashmë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, si dhe nga liderët e vendeve anëtare, të cilët fajësuan Rusinë për tensionimin e situatës në kufirin lindor të NATO-s.


Përsa i përket reagimit ushtarak, ai do të koordinohet nga Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën, gjenerali Alexus Grynkewich. Ai po vlerëson situatën në terren dhe po përcakton se çfarë lloj përforcimesh apo furnizimesh mund të jenë të nevojshme për të garantuar sigurinë e aleatëve në atë zonë.

 

“NATO është një aleancë mbrojtëse dhe çdo veprim do të fokusohet në forcimin e qëndrimit parandalues të saj”, citohet burimi nga Bloomberg.

 

Ngjarja ndodhi në orët e para të 10 shtatorit, kur forcat e armatosura polake shkatërruan disa dronë që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në hapësirën ajrore të vendit. Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, konfirmoi se 19 UAV kishin kaluar kufirin nga territori i Bjellorusisë, një aleate e ngushtë e Rusisë.

 

Në përgjigje të këtij incidenti, Polonia kërkoi aktivizimin e nenit 4 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, duke nisur konsultime urgjente mes vendeve anëtare të NATO-s për të analizuar situatën dhe për të vendosur hapat e mëtejshëm./euronews

XS
SM
MD
LG