Lidhje


Shqipëri, propozohet projektligji që nënkupton se kushdo mund të deklarojë gjininë që dëshiron

Në Kuvendin e Shqipërisë është dorëzuar projektligji "Për barazinë gjinore", ku ndër të tjera përcakton se gjinia ka kuptim gjithëpërfshirë. Në projektligjin e ri të propozuar nga Këshilli i Ministrave i Shqipërisë, në lidhje me gjininë është përfshirë termi "gjithëpërfshirëse", duke nënkuptuar se kushdo mund të deklarojë gjininë që dëshiron.

 

Në hyrje të projektligjit në fjalë thuhet se synohet të garantohet, mbrohet dhe promovohet arritja e barazisë gjinore si vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë.

 

"Gjini, sipas këtij ligji ka kuptim gjithëpërfshirës në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore", thuhet në një nga nenet e projektligjit.

 

Sipas relacionit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, që është edhe propozuesi, projektligji është hartuar në vijim të politikave të vijueshme në vend për arritjen e barazisë gjinore. Gjithashtu thuhet se synon rregullimin e çështjeve themelore të barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës publike dhe private, për arritjen e barazisë gjinore dhe trajtimit të barabartë pavarësisht përkatësisë gjinore përmes mbrojtjes, mundësive të barabarta për ushtrimin e të drejtave, pjesëmarrjes dhe ndihmesës në zhvillimin e të gjitha fushave të jetës shoqërore.

 

Nisma ka shkaktuar edhe reagimet e para të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe aktivistëve. Sipas reagimeve, projektligji prezanton koncepte të reja dhe juridikisht të paqarta, si "identiteti gjinor", "shprehja e identitetit gjinor" dhe "përkatësia e shumëfishtë", ku theksohet se këto koncepte e zhvendosin në mënyrë thelbësore subjektin e ligjit nga kategoritë objektive dhe biologjike të mashkullit dhe femrës, në identitete subjektive dhe fluide.

 

Projektligji i ri do të diskutohet fillimisht në komisionet parlamentare dhe me grupet e interesit dhe më pas pritet të miratohet në seancë plenare./AA

XS
SM
MD
LG