Evis Sala i firmos çekun 50 Milionë Lekë ish-zv/ministres së Shëndetësisë Mira Rakacolli! Fëmijë në prag vdekje mbeten pa kurim
Më 25 shtator 2025, është firmosur Vendimi nr. 538, duke i akorduar 50 milionë lekë nga taksat e shqiptarëve ish-zv/ministres së Shëndetësisë, Mira Kapisyzi-Rakacolli, për një “trajtim shëndetësor jashtë vendit”.
Gruaja e ish-shefit të "Shefqet Ndroqit" Perlat Kapisyzit (mjek në një spital të një oligarku të shëndetësisë), nuk është një qytetare e thjeshtë në nevojë, por një ish-zv/ministre që zotëron klinika private, laboratorë dhe biznese të shumta, pra një grua me pasuri të konsiderueshme dhe të ardhura milionëshe.
Dhe megjithatë, qeveria vendosi të përdorë paratë e taksapaguesve për t’i paguar shëndetin, ndërkohë që mijëra familje shqiptare të varfra mbeten pa asnjë mbështetje dhe fëmijë të varfër kanë mbetur pa kurim e në shtrat të vdekjes, duke mos imagjinuar që qeveria i akordon çek 50 milion lekë për kurim ish-zv/ministres me taksat e popullit.

Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në zyrën e kryeministrit ndodhen mbi 2000 kërkesa urgjente nga familje që luten për ndihmë financiare. Bëhet fjalë për prindër, të rinj e fëmijë që rrezikojnë të mbeten të paralizuar, tetraplegjikë apo edhe të humbasin jetën. Por për ta nuk ka fonde, nuk ka vendime qeverie, nuk ka asnjë reagim.
Ndërkohë, për një ish-zv/ministre me klinika private, Rama gjen kohë dhe miliona. Një shpërfillje cinike ndaj qytetarëve të thjeshtë, një shkelje flagrante e çdo morali dhe ndjeshmërie duke privilegjuar funksionarët publikë të pasur të kursejnë paratë e bizneseve të tyre e të kurohen me paratë e popullit të varfër.
Ky nuk është favori i vetëm për Rakacollin. Dokumentet tregojnë se më 19 korrik 2023, ajo kishte marrë nga qeveria edhe 30 milionë lekë të tjera për trajtim jashtë vendit (Vendimi nr. 441). Pra, në total: 80 milionë lekë para publike i janë dhënë të njëjtës zyrtare në dy raste të ndryshme.
Ironia më e madhe? Çeku i dytë prej 50 milionësh iu dha ditën që Rama e shkarkoi nga posti, më 25 shtator 2025. Ndërkohë, ministrja e re e Shëndetësisë, Evis Sala, nisi mandatin e saj pikërisht me propozimin për t’i dhënë këtë shumë të majme ish-koleges.
Ndërsa pushtetarët marrin miliona nga arka e shtetit, qytetarët e zakonshëm enden dyerve të spitaleve, duke kërkuar fonde për ndërhyrje urgjente në spitale private brenda ose jashtë vendit.
Shumica prej tyre nuk marrin kurrë përgjigje, nuk përfitojnë asnjë qindarkë, dhe shpesh përballen me humbje tragjike./JOQ