Lidhje


Vrasja e gjyqtarit Kalaja, reagon Shoqata Europiane e Gjyqtarëve! Miraton rezolutë

Shoqata Europiane e Gjyqtarëve, EAJ ka miratuar një rezolutë ku i bën thirrje qeverisë së Shqipërisë që të marrë masa efektive për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve, pas vrasjes së Astrit Kalasë në Gjykatën e Apelit.

 

Shoqata me e madhe në Europë e gjyqtarëve bën thirrje për reflektim serioz e të menjëhershëm të organeve shtetërore, që kanë detyrë kushtetuese e ligjore të sigurojnë një klimë normale pune dhe sigurinë e gjyqtarëve, si gur themeli për një drejtësi të pavarur.

Rezoluta e plotë e Shoqatës Evropiane të Gjyqtarëve

 

“Në mbledhjen e saj në Baku më 14 tetor 2025, Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve (“EAJ”) u informua nga anëtari i saj, Unioni Shqiptar i Gjyqtarëve, për vrasjen e fundit të një gjyqtari në një gjykatë apeli në Shqipëri, Astrit Kalaja, i cili u qëllua me armë ndërsa po shpallte një vendim. Delegatët e pranishëm u tronditën nga ky lajm dhe shprehën ngushëllimet e tyre për familjen, miqtë dhe kolegët e gjyqtarit.

 

Delegatët shprehën gjithashtu shqetësim të thellë kur mësuan rrethanat në të cilat ndodhi ky akt. Përveç faktit që sistemi gjyqësor është nën presion për shkak të mungesës së gjyqtarëve si rezultat i procesit të rivlerësimit (vetingut), gjyqtarët kanë qenë së fundmi objekt i sulmeve publike abuzuese në media nga figura të larta politike. Këto sulme kanë shkuar deri në identifikimin dhe ofendimin e gjyqtarëve individualë, përfshirë publikimin e fotografive të tyre në rrjete sociale. Thirrjet e përsëritura të Unionit Shqiptar të Gjyqtarëve dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor për t’i dhënë fund këtyre sulmeve publike ndaj anëtarëve të gjyqësorit janë injoruar, dhe për pasojë, besimi i publikut në sistemin gjyqësor vazhdon të gërryhet, ndërsa gjyqtarët detyrohen të punojnë në një mjedis armiqësor nga ana e opinionit publik.

 

E papranueshmëria e një sjelljeje të tillë është e vetëkuptueshme. Standardet evropiane janë të qarta:

 

(i) “Ndërsa kritika objektive ndaj gjykatave dhe vendimeve të tyre është e lejueshme, nuk është e pranueshme që pushtetet e tjera në shtet të kritikojnë gjyqësorin në një mënyrë që minon pavarësinë, autoritetin gjyqësor ose besimin e publikut te gjyqësori dhe që nxit mosbindje apo edhe dhunë ndaj gjyqtarëve.”

(ii) “Pushtetet ekzekutive dhe legjislative kanë detyrimin të sigurojnë të gjitha masat e nevojshme dhe të përshtatshme të mbrojtjes kur funksionet e gjykatave rrezikohen nga sulme fizike ose kërcënime të drejtuara ndaj anëtarëve të gjyqësorit.”

 

Prandaj, EAJ i bën thirrje qeverisë së Shqipërisë:

 

• të garantojë respektimin e pavarësisë gjyqësore;

• të ndalojë kritikat e pajustifikuara, kërcënimet dhe sulmet ndaj gjyqtarëve; dhe

• të marrë masa efektive për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve”.

 

Gjyqtari Astrit Kalaja u vra më 6 tetor në sallën e gjyqit, menjëherë sapo dha vendimin për një konflikt për çështje pronësie. Autori i vrasjes është 30-vjeçari Elvis Shkambi, familja e të cilit ishte palë në një proces gjyqësor për një konflikt pronësie prej vitesh./euronews

XS
SM
MD
LG