Vuçiç shpall krijimin e “ushtrisë dixhitale”, flasin analistët serbë: Propagandë
Deklaratat e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç se Forcat e Armatosura Serbe (FAS) kanë siguruar pajisje “super sekrete”, aq sekrete sa “më së shumti pesë persona” e dinë dhe njoftimi për krijimin e të ashtuquajturës “ushtri dixhitale”, për kritikët e tij janë prova të qarta të marrëveshjeve korruptive dhe të injorancës së plotë të presidentit për mënyrën se si funksionon ushtria shkruan Al Jazeera.
Sipas analistit ushtarak Aleksandar Radiç dhe ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FAS, tashmë opozitarit Zdravko Ponos, këto deklarata nuk janë gjë tjetër veçse propagandë politike.
Ponos thekson se “asnjë procedurë prokurimi për Forcat e Armatosura nuk parashikon një mekanizëm që përfshin vetëm pesë persona, njëri prej të cilëve është presidenti i shtetit, që nuk ka asnjë autoritet ligjor në këtë proces.”
Sipas tij, nëse kjo do të ishte e vërtetë, do të thoshte se “pesëshja e Vuçiçit” vendos se çfarë blen ushtria, me çfarë çmimi dhe ku ruhet, gjë që tregon qartë korrupsionin.
“Ushtria nuk përdor asgjë të lirë. Nëse pak njerëz janë përfshirë në blerje, atëherë diçka e paligjshme po ndodh pas saj,” tha Ponos, duke shtuar se njerëz joprofesionistë po marrin vendime pa ndonjë procedurë të qartë.
Ai ironizoi edhe deklaratat për “armët sonike”:
“Më intereson cili prej tyre shtypi butonin. Nuk do të thoja se ishte Vuçiç. Ai është teknikisht analfabet, është rrezik edhe kur ndez dritën.”
Analisti Radiç shpjegon se Serbia nuk ka dokumente publike për drejtimin e modernizimit të ushtrisë:
“Çdo gjë është e klasifikuar. Zyrtarët thonë se blerjet janë planifikuar, por kanë gënjyer aq shumë herë sa nuk ka arsye për t’u besuar. Asnjë tender nuk është zhvilluar që nga viti 2016, dhe blerjet bëhen përmes kontratave të drejtpërdrejta.”
Sipas tij, e gjithë kjo shërben për spektakël politik:
“Vetëm ekskluziviteti i prezantimit ka rëndësi, jo siguria e vërtetë.”
“Ushtria dixhitale? Një frazë që Vuçiç nuk e kupton”
Ponos sqaron se Vuçiç përdor termin “ushtri dixhitale” pa e ditur kuptimin:
“E dëgjoi këtë shprehje në një takim ushtarak dhe e përdori për t’u dukur i zgjuar. Në realitet, bëhet fjalë për integrimin e inteligjencës artificiale në sistemet luftarake, diçka që Serbia është shumë larg ta realizojë.”
Të dy analistët janë të qartë: Serbia nuk përbën kërcënim real për fqinjët e saj.
“Rajoni është i lodhur nga lufta. Askush nuk ka as vullnet as gatishmëri për konflikt. Armatosja e Serbisë shërben vetëm për nevoja politike të brendshme,” thekson Ponoš.
Radiç kujton se pothuajse të gjithë fqinjët e Serbisë janë anëtarë të NATO-s, gjë që garanton siguri në rajon, ndërsa Serbia vetë blen armatim nga vende të aleancës, çka e bën të pamundur përdorimin e tyre kundër saj.
“E gjithë kjo është një luftë hibride ndaj opinionit publik të brendshëm – një propagandë që synon ta bindë popullin se Serbia po forcon ushtrinë, ndërsa në fakt po ndërtohen lidhje të errëta politike jashtë vendit,” përfundon Radiç./euronews