Riad–Tel Aviv–Uashington: MBS hap dyert e normalizimit me I.zraelin dhe arkën me 1 trilion dollarë
Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman (MBS), ka dhënë dy sinjale të fuqishme gjeopolitike në vizitën e tij në Shtëpinë e Bardhë, duke lënë të kuptohet se Riadit i ka ardhur koha të ripozicionojë rolin e vet në rajon dhe në skenën globale.
Duke folur krah presidentit amerikan Donald Trump, MBS deklaroi se Arabia Saudite dëshiron të bëhet pjesë e Akordeve Abrahamike – marrëveshjeve të normalizimit me Izraelin të nënshkruara nga disa vende myslimane gjatë mandatit të parë të Trumpit. Sipas tij, Riadit i intereson të hyjë në këtë proces, por vetëm duke garantuar një rrugë të qartë drejt zgjidhjes me dy shtete mes Izraelit dhe Palestinës.
“Ne duam paqe për izraelitët. Ne duam paqe për palestinezët. Ne duam që të dy popujt të bashkëjetojnë paqësisht në rajon”, tha bin Salman, duke theksuar se diskutimet do të vijojnë.
Paralelisht me sinjalin e hapur drejt normalizimit, MBS bëri edhe një njoftim ekonomik të përmasave historike: Arabia Saudite do t’i rrisë investimet e saj në SHBA nga 600 miliardë dollarë në pothuajse 1 trilion dollarë.
“Besoj se sot dhe nesër mund të njoftojmë rritjen e investimeve në pothuajse 1 trilion dollarë”, deklaroi ai, ndërsa Trump e falënderoi publikisht për angazhimin financiar gjigant.
“Është miku im, prandaj mund ta bëjë lehtësisht një trilion”, tha Presidenti Trump, duke nënvizuar marrëdhënien e ngushtë me princin saudit.
Me një dorë drejt Tel Avivit dhe tjetrën drejt Uashingtonit, Arabia Saudite e MBS duket se po shpalos strategjinë më ambicioze të dekadës – paqe rajonale nën ombrellën e Akordeve Abrahamike dhe një investim kolosal që vulos partneritetin me SHBA në epokën Trump 2.0.