Lidhje


Franca në alarm, 5 dronë fluturojnë mbi bazën bërthamore, ushtria qëllon raketa anti-dron

Franca u vu në alarm të enjten mbrëma, pasi pesë dronë u identifikuan duke fluturuar mbi bazën strategjike të nëndetëseve bërthamore në Île Longue, Finistère — një nga objektet më të ndjeshme ushtarake të vendit.

 

Sipas xhandarmërisë, dronët janë zbuluar rreth orës 19:30 mbi zonën që kufizohet me portin e Brestit. Menjëherë është aktivizuar një operacion i specializuar kërkimi dhe neutralizimi, ndërsa batalioni i këmbësorisë detare ka lëshuar disa raketa anti-dron për t’i larguar pajisjet e paidentifikuara.

 

Prefektura Detare e Atlantikut dhe prokuroria nuk kanë dhënë ende komente zyrtare për incidentin.

 

Fluturime të paautorizuara me dronë në këtë zonë nuk janë të izoluara. Vetëm pak javë më parë, natën e 17-18 nëntorit, një dron tjetër ishte raportuar mbi gadishullin Crozon, i cili përfshin edhe bazën e Île Longue, megjithëse nuk ishte i lidhur me ushtrinë.

 

Baza në fjalë, e mbrojtur nga rreth 120 xhandarë detarë dhe trupa të këmbësorisë detare, është zemra e mburojës bërthamore të Francës: aty mirëmbahen katër nëndetëset strategjike me raketa balistike (SSBN), me të paktën një prej tyre të dislokuar vazhdimisht në det.

 

Në muajt e fundit, raportimet për dronë pranë infrastrukturave kritike — aeroporteve, bazave ushtarake dhe objekteve të sigurisë — janë shtuar në disa vende të Evropës së Veriut. Udhëheqësit e rajonit kanë shprehur dyshime se pas këtyre fluturimeve qëndrojnë operacione hibride të lidhura me Moskën.

XS
SM
MD
LG