Lidhje


SHBA godet dhjetëra objektiva të ISIS-it në Siri pas sulmit ndaj trupave amerikane

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka kryer të premten sulme ajrore ndaj dhjetëra objektivave të Shtetit Islamik (ISIS) në Siri, si kundërpërgjigje ndaj një sulmi të ndodhur fundjavën e kaluar kundër personelit amerikan, kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë.

 

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), sulmet kanë shënjestruar mbi 70 objektiva në zona të Sirisë qendrore. Operacioni u mbështet edhe nga avionë luftarakë të Jordanisë. Pamje të shpërthimeve janë shpërndarë në rrjetet sociale nga provinca lindore Deir el-Zour dhe nga zona të shkretëtirës qendrore siriane.

 

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në rrjetet sociale se qeveria siriane e ka mbështetur plotësisht operacionin, duke e cilësuar reagimin amerikan si “hakmarrje shumë serioze”.

 

Autoritetet siriane konfirmuan se operacioni ishte i koordinuar me Damaskun dhe theksuan se Siria mbetet e angazhuar në luftën kundër ISIS-it, duke mos lejuar krijimin e strehave të sigurta për grupin ekstremist në territorin e saj.

 

Sulmet ajrore pasuan një atentat të ndodhur të shtunën e kaluar në qytetin Palmyra, ku u vranë dy anëtarë të Gardës Kombëtare të Ajovës dhe një përkthyes civil, ndërsa tre ushtarë të tjerë amerikanë u plagosën. Sulmuesi, i cili kishte në shënjestër një autokolonë të forcave amerikane dhe siriane, u vra gjatë përplasjes.

 

Në Siri ndodhen rreth 1 mijë trupa amerikane, të angazhuara në misione për parandalimin e rikthimit të ISIS-it në rajon.

 

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, bëri të ditur se operacionet kundër ISIS-it do të vazhdojnë. Sipas tij, objektivat përfshinin luftëtarë të ISIS-it, infrastrukturë dhe depo armësh, ndërsa operacioni është koduar “Hawkeye Strike”.

 

Zyrtarë amerikanë kanë theksuar se operacioni nuk ka një afat të përcaktuar dhe se mund të pasojnë goditje të tjera ndaj grupit ekstremist.

 

Ndërkohë, ISIS ka shtuar aktivitetin dhe rekrutimet në Siri pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad vitin e kaluar. Sipas të dhënave të publikuara nga “Syria Weekly”, grupi ka kryer mesatarisht rreth 60 sulme në muaj gjatë këtij viti.

 

Në një zhvillim tjetër, presidenti Trump nënshkroi të enjten një ligj për shfuqizimin e paketës së fundit të sanksioneve ekonomike ndaj Sirisë, të vendosura më herët për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë luftës civile.

 

Siria po bashkëpunon me koalicionin ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA në luftën kundër ISIS-it, bashkëpunim që u forcua muajin e kaluar gjatë vizitës së presidentit sirian Ahmed al-Sharaa në Shtëpinë e Bardhë./tvklan.al

XS
SM
MD
LG