Arrestimi i Maduros, Spiropali: Shqipëria kundër shtetit mafioz
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka përshëndetur operacionin e forcave speciale amerikane në Venezuelë, ku u arrestua presidenti venezuelian, Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij.
Përmes një postimi në platformën X, Spiropali, në emër të Republikës së Shqipërisë, thekson se vendi ynë është përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit të SHBA-së në veprimet e tyre vendimtare kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës.
Më tej, Spiropali nënvizon se Shqipëria, si një aleat i palëkundur i SHBA-së dhe anëtar i NATO-s, qëndron krah për krah me lidershipin amerikan në mbrojtje të parimeve demokratike dhe sigurisë globale.
Postimi i plotë i Spiropalit në X:
"Shqipëria qëndron pa mëdyshje përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit të SHBA-së në veprimet e tyre vendimtare kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës.
Ne mbështesim lidershipin e fortë të Sekretarit të Shtetit Rubio në përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale.
Populli venezuelian ka një të drejtë të pamohueshme për liri, demokraci dhe sundim të ligjit dhe bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të heshtë përballë shtypjes dhe frikës.
Si një aleat i palëkundur i SHBA-së dhe anëtar i NATO-s, Shqipëria qëndron krah për krah me lidershipin amerikan në mbrojtje të parimeve demokratike dhe sigurisë globale."