Lidhje


Shoku i.zraelit i Ramës dhe Ardi polici morën koncesionin e prodhimit të armëve në Shqipëri me kompani 1000€

Në pranverën e vitit 2024, qeveria e drejtuar nga Edi Rama hodhi themelet e shoqërisë “KAYO”, duke ia besuar drejtimin ish-kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, të firmosur nga zv/kryeministrja Belinda Balluku, kësaj strukture iu deleguan kompetenca të gjera për të lidhur marrëveshje me subjekte private në sektorin e industrisë ushtarake.

 

Mes kompanive të përfshira në këtë skemë përmendet edhe TIMAC shpk, një biznes i promovuar publikisht nga vetë kryeministri. Pronaren e kësaj shoqërie, Arjeta Puca, Rama e ka ftuar në podkastin e tij dhe e ka vizituar personalisht në ambientet e kompanisë në Kashar. Më 17 qershor 2025, ajo transferoi 49% të aksioneve të TIMAC shpk për shumën simbolike prej 490 eurosh te Ron Yeffet, i njohur si mik i afërt i kryeministrit dhe i përfolur në disa çështje me natyrë financiare.

 

Nga të dhëna publike dhe deklarime politike, Yeffet është përmendur si person që ka tentuar të blejë borxhe shtetërore, kërkesë që thuhet se është refuzuar nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj. Ai ka shfaqur interes edhe për blerjen e pronës së Ambasadës shqiptare në SHBA për qëllime rezidenciale, një projekt i ndalur nga Ministria e Jashtme. Emri i tij është përfolur gjithashtu në lidhje me çështjen “Air Albania”, ndërsa në Senegal një marrëveshje e mëparshme e tij është anuluar dhe aktualisht po hetohet për korrupsion.

 

Vetëm disa javë pas shitjes së aksioneve, më 4 gusht 2025, KAYO dhe TIMAC shpk krijuan shoqërinë “TIMAC Defence”, ku 80% e aksioneve i takojnë TIMAC dhe 20% KAYO-s, me kapital fillestar prej 35 mijë eurosh. Paralelisht, më 1 gusht 2025, KAYO bashkë me MSSC, kompani në pronësi të Emiljano Dushës, themeluan “MKD Myslym Keta Defence”, me Gentian Karaj si administrator dhe me të njëjtën skemë aksionesh 80% MSSC dhe 20% KAYO. Po atë ditë u krijua edhe “GUNA Tactical”, ku KAYO mban 51% dhe MSSC 49%, sërish me kapital minimal.

 

Megjithëse këto kompani janë themeluar me kapital modest, ato pretendohet se do të ndërtojnë industrinë e prodhimit të armëve në Shqipëri, një iniciativë që ngre shqetësime serioze për mungesë transparence, standardesh ligjore dhe garancish sigurie.

 

Pikërisht për këtë arsye lindin disa pyetje thelbësore: mbi çfarë kriteresh janë përzgjedhur këto subjekte? A disponojnë ato certifikime dhe përvojë reale në industrinë e mbrojtjes? Si justifikohet shitja e gjysmës së një kompanie për vetëm 490 euro? Dhe mbi të gjitha, kush po mbron interesat kombëtare në këtë proces?/JOQ

XS
SM
MD
LG