Masakra greke e vitit 1914, në Korçë: Papa Llambro Ballamaçin e masakruan po ashtu vëllanë e tij, Sotirin, si dhe V. Tallabakun e V. Balojanën
Nëpër rrugët e qytetit, thereshin pa pikë mëshire, gra dhe fëmijë. Më 20 mars, sipas kalendarit të vjetër, ose më 2 prill 1914, sipas kalendarit të ri, në Korçë kishte shpërthyer e ashtuquajtura; “Kryengritja e Vorio-epirit”. Andartët grekë po i masakronin të gjithë ata, që kishin dalë kundër tyre. Një nga këta ishte dhe Papa Llambro Ballamaçi. Për Ballamaçin nuk kishte asnjë dyshim, andartët do të vinin ta merrnin dhe që nga ajo ditë, ai nuk do të kthehej dot më në shtëpinë e vet. Ata erdhën! Ata erdhën drejt shtëpisë së Papa Llambro Ballamaçit, pas tri ditë luftimesh, më 23 mars, ose 5 prill, me kalendarin e ri. Si e rrethuan shtëpinë e tij, dikush prej andartëve, nisi të thërriste: “Papa Llambro, dil jashtë, se të kërkojnë”! Ballamaçi ndenji një çast i menduar.
Çfarë mund të bënte më shumë, në ato çaste?! Nuk i kishte mbetur asnjë rrugë tjetër. Duhej të dilte nga shtëpia e të shkonte drejt vdekjes. Ata nuk kishin ndërmend ta falnin dhe këtë gjë Papa Llambro Ballamaçi, e dinte mirë. Nuk ishte hera e parë, që kishin tentuar ta vrisnin, por deri atëherë, asnjëherë nuk kishin pasur guxim.
Kësaj radhe nuk i kishte mbetur asnjë mundësi shpëtimi. Qyteti kishte rënë në duart e andartëve dhe rrugët e Korçës, po përgjakeshin. Mjaftonte një kundërshtim i vogël dhe të pritej koka. Me Papa Llambron, ata kishin hesape të vjetra, Tashmë ai duhej t’i shlyente të gjitha, me jetën e tij. Në vitin 1883, Ballamaçi çeli në Korçë mësonjëtoren rumune, që fëmijët e vllahëve të mësonin gjuhën e tyre, kurse fëmijëve shqiptarë, që shkonin në këtë shkollë, u mësonte fshehurazi gjuhën shqipe. Të gjitha këto, ranë në vesh të Kishës Greke.
Dhespoti i Korçës, gati sa nuk u çmend. E kishte më të lehtë të vdiste nga dëshpërimi, ose të vriste veten më ndonjë kanal, ku kalonin ujërat e zeza, se sa të dëgjonte t’i thoshin se gjuha shqipe, po ringjallej. Bëri të pamundurën për ta kallëzuar te qeveria turke, me shpresën se kur Sulltani të dëgjonte, se ky njeri po u mësonte fëmijëve të Korçës gjuhën shqipen, do të jepte urdhër, që Papa Llambros t’i pritej koka, por në të vërtetë, nuk ndodhi kështu.
Shkolla rumune, ishte nën mbrojtjen e shtetit Rumun. Në dëftesat që dilnin prej asaj shkolle, shënohej: Korçë- Shqipëri. Kjo gjë e bënte Dhespotin e Korçës, të hynte në një dëshpërim edhe më të thellë. Çeljen e Mësonjëtores rumune dhe Papa Llambro Ballamaçin, nuk do t’i harronte dot kurrë. Ballamaçi po ia nxinte jetën. Andartët që rrethuan shtëpinë e Papa Llambro Ballamaçit, vazhdonin të prisnin daljen e tij nga shtëpia. Nëse do të vonohej edhe pak, atëherë ata do të hynin brenda dhe ta nxirrnin që andej, duke e tërhequr zvarrë. Zëri i andartit që thërriste, u dëgjua përsëri: “Papa Llambro, dil jashtë se të kërkojnë”! Në të gjitha rrugët e Korçës dëgjoheshin krisma armësh e ulërima grash.
Diku, nëpër sokakë, priteshin koka njerëzish dhe digjeshin shtëpi. Bëhej luftë, për jetë a vdekje. Nuk dihej sa ishte numri i të vrarëve. Trupat vetëdashës, ose siç u quajtën ndryshe “trupa të xhandarmërisë”, që prej tre ditësh, po luftonin kundër andartëve. Daljen e Ballamaçit, po e prisnin me padurim. Mitropolia e Korçës, i kishte informuar andartët mbi gjithçka dinte për Papa Llambro Ballamaçin.
Në vitin 1887, Pandeli Sotiri nga Selcka e Gjirokastrës, çeli mësonjëtoren e parë shqipe në Korçë. Në atë shkollë shkuan shumë djem dhe vajza, por kisha greke bëri të pamundurën, për frikësimin e prindërve që dëshironin t’u mësonin fëmijëve të tyre, gjuhën shqipe. Kush i çonte fëmijët në shkollë, do të shkishërohej e do të mbetej i mallkuar, brez pas brezi.
As në botën tjetër, nuk do të kishte vend për ta. Dhe kisha greke, mundi t’ia dilte mbanë. Fëmijët ortodoksë, e braktisën shkollën shqipe. Mësonjëtorja rrezikonte të mbyllej. Tashmë Dhespoti i Korçës, sa s’po vdiste prej gëzimit, por buzëqeshjen e tij e preu përsëri në mes, Papa Llambro Ballamaçi. Ai mori gjysmën e nxënësve të shkollës rumune dhe i çoi te mësonjëtorja e parë shqipe.
Ata do të qëndronin atje, deri sa fëmijët e larguar nga frika, të riktheheshin. Tashmë i duhej të jepte llogari, edhe për këtë. Papa Llambro, po bëj gati të dilte. E dinte, nuk kishte për t’u kthyer më kurrë. Në shtëpinë e Ballamaçit, netëve të vona, vinte Orhan bej Pojani, Mahmud bej Pojani, Thimi Marko, etj.
Mblidheshin rreth zjarrit dhe flisnin për gjuhën shqipe dhe pastaj ia merrnin një kënge, që u pëlqente shumë:
“Gjer kur ky karkalec i huaj,
Gjer kur ky tiran, ky barbar,
Do të na shkelnjë në xverkut, as thuaj,
Gjer kur do të na kllasë, të gjallë në varr…”!
Orhan Pojani, i cili dukej si një copë shkëmb që nuk mund të mallëngjehej nga asgjë, lotonte pa e ndaluar këngën. Andartët që kishin rrethuar shtëpinë e Papa Llambro Ballamaçit, kishin ardhur të hakmerreshin për gjithçka që Papa Llambroja kishte bërë, kundër Kishës Greke. Gjithnjë kishin dashur ta vrisnin, por asnjëherë nuk kishin mundur.
Vrasja e tij mund të sillte telashe të shumta dhe pakënaqësi, te besimtarët vlleh. Kishin provuar vazhdimisht ta frikësonin, por pa ndonjë rezultat. E kërcënuan edhe me vdekje, por përsëri ai nuk hoqi dorë nga rruga e tij. Në vitin 1890, shkoi në Stamboll si delegat për krijimin në Turqi të një Peshkopate rumune. Gjatë asaj kohe, pati rastin të takohej edhe me Naim Frashërin, me Murat Toptanin dhe me patriotë të tjerë.
Papa Llambro Ballamaçi, ndihmonte për përhapjen e gjuhës shqipe. Nëpërmjet konsullatës rumune, ai sillte nga Bukureshti në Stamboll, libra shqip dhe ia dorëzonte Naim Frashërit, që ai t’i niste për atje ku kishte më shumë nevojë. Një ditë, kur po trokiste te porta e Naimit, pa të vinte drejt kësaj shtëpie edhe Rifat Frashëri, ish-drejtorin e përgjithshëm të Shëndetësisë. U përshëndetën me njëri-tjetrin dhe hynë brenda të dy.
Rifati nuk e njihte Ballamaçin dhe nisi të ndiqte me vëmendje çdo veprim të priftit. Vuri re se Naimi u gëzua kur e pa atë njeri dhe e priti me shumë mall. Dhe kur Ballamaçi ende nuk ishte ulur, Rifati kuptoi se prifti diçka kishte fshehur, në mëngët e gjera të rasës. Çfarë do të nxirrte vallë që andej? Rifati priste të shihte çfarë do të ndodhte. Befas nga mëngët e gjera të priftit, pa të dilnin një tufë librash në gjuhën shqipe. Naimi e dinte gjithnjë, çfarë fshihej te ato mëngë.
Në Rumani
Më 1895, Ballamaçi shkoi në Rumani, për të ndihmuar çështjen shqiptare. Qëndroi atje për tre vjet me radhë. Në Korçë u kthye në vitin 1898. Papa Llambroja, po bëhej për Kishën Greke, gjithnjë e më i frikshëm. Patriarkana e Stambollit, i kërkoi Sulltan Abdyl Hamitit, ta syrgjynoste nga Korça, për të mos u kthyer më kurrë në këtë qytet. Pas shumë përpjekjesh, Patriarkana ia arriti qëllimit.
Urdhri për syrgjynosjen e Ballamaçit, mbërriti në Korçë në vitin 1900. Edhe mund ta kishin syrgjynosur diku larg, në ndonjë cep të largët të botës, nëse Mytesarifi i Korçës, Ali Pashë Delvina, nuk do ta kishte mbajtur të fshehtë urdhrin, për syrgjynosjen e Ballamaçit.
Kohë më vonë, me porosi të Mehmet Delvinës dhe me dijeni të Mytesarfit, Ali Pashës, Ballmaçi bashkë me vëllain e tij, Spiron, shkuan në Stamboll, ku me ndihmën e patriotëve, mundën ta mbyllnin çështjen e syrgjynosjes. Përsëri vazhdoi të bashkëpunonte për Shqipërinë dhe thyerjen e çdo tentativë të andartëve kundër shqiptarëve. Ballamaçi del nga shtëpia.
“Unë po dal, – u tha Ballamaçi njerëzve të familjes, – por ju mos u shqetësoni, do të shkoj dhe do të kthehem përsëri, si gjithnjë, nuk është hera e parë që më ndodh kështu dhe ju e dini”. Përpiqej të ishte sa më i qetë, edhe pse kësaj radhe ishte i sigurt, që nuk do të kthehej më i gjallë. “Ju mos dilni nga shtëpia”, – i porositi, dhe pas kësaj doli jashtë. Bëhej luftë në të katër anët e qytetit.
Banorët e fshatrave përreth, kishin marrë armët dhe po i vinin në ndihmë Korçës. Ishin gati të vdisnin të gjithë e, të mos lejonin rrëmbimin e vendit të tyre nga andartët grekë. Vetëdashësit, (trupat e xhandarmërisë), që prej tre ditësh kishin mundur ta ngushtonin rrethin e andartëve. Për bandat greke, të ashtuquajtura “batalione të shenjta”, e nesërmja nuk do të ishte aspak më e mirë.
Fundi i tyre do të ishte i shpejtë. Qëllonjëtarët (snajperat) e trupave vetëdashës, Kristo Pema, Qerim Butka, Koli Laluci, Zenel Plasa e, të tjerë, së bashku me konsullin amerikan në Korçë, z. Spencer, majorët holandezë Rûller, Snellen e Vallenhofen, kapitenët holandezë Mallinkcroft, Durman dhe kapitenin e trupave vetëdashës, Leopold de Ghilard, luftonin më këmbë. Megjithatë andartët, përpiqeshin të tregoheshin ngadhënjyes, të fortë e të pathyeshëm, zot të Korçës.
Që nga dita e parë e “kryengritjes”, me ndihmën e priftërinjve, ata ngritën në ballkonin e Mitropolisë, flamurin grek, si për të treguar se tashmë e tutje, Korça nuk ishte gjë tjetër, veçse një copë tokë greke. Komploti ishte organizuar nga Dhespot Jakovi dhe Këshilli i Mitropolisë. Gjithsesi, për andartët, më e tmerrshmja ende nuk kishte ndodhur. Pritej që shumë shpejt të mbërrinin nga të gjitha anët, çetat shqiptare.
Ballamaçi ishte i bindur, që Korça nuk do të dorëzohej kurrë edhe sikur gjaku të derdhej si lumë. Mbylli portën e shtëpisë dhe shkoi drejt andartëve. Ata kërkonin me çdo kusht, vdekjen e tij. Kështu i kishte ndodhur Papa Llambro Ballamaçit edhe në dhjetor të vitit 1912, kur grekët hynë për herë të parë në Korçë.
Edhe atëherë, një grup kriminelësh, vizitën e parë e bënë në shtëpinë e tij. I kishte dërguar vetë komandanti i ushtrisë greke, Damianos dhe kapedani Çondas Vardhas. Kishin marrë urdhër t’i fusnin një plumb kokës dhe t’i lanin duart një herë e mirë me të, por nuk mundën. Njerëzit e mëhallës u dolën përpara dhe u prenë rrugën, gangsterëve të Greqisë.
“Mos e prekni Papa Llambron!”- ishte kërkesa e tyre. Grupi gangsterëve, nuk dëshironte të tërhiqej, por edhe zbatimi i urdhrit që kishin marrë, nuk ishte i mundur. Mund të ndodhnin ngjarje të paparashikuara. U detyruan të tërhiqeshin. Banorët e lagjes “Barç”, vllahët e Korçës, i kërkuan komandantit Damianos, të hiqte dorë nga Papa Llambro.
U ankuan edhe për andartët, por përgjigja e Damianos ishte: “E dinë ata se ç’bëjnë”! Studiuesi Ilo Mitkë Qafëzesi, e përshkruan kështu vijimin e kësaj ngjarjeje: “Në mbrëmje të asaj dite, i vjen Papa Llambros një oficer i shtatmadhorisë greke, kapiteni Apostolidhis, për të bërë hetime mbi ngjarjet e ditës.
Me këtë rast, kur Papa Llambroja e qortoi sjelljen e dobët të atyre, që me pahir përpiqen të ndryshojnë vetëdijet e pastra të tjetërkombësave, atëherë u ndez një duel bisedimi mes priftit dhe oficerit, mbi çështjen e racës, të popullsisë korçare. Burrë me dituri oficeri grek, mirëpo me atë mendësi të kalbur, që e kanë të gjithë bashkëkombësit e tij, kur ngatërrojnë kombësinë me fenë, ngulmonte duke thënë se popullsia e krishterë e Korçës, është medoemos greke.
Ishte mentaliteti helen i vjetër, apo më shqip, avazi i moçëm i fyellit të tyre, më një vrimë. “Pas kristianos orthodhoks ine elin”, (çdo i krishterë orthodhoks i botës, është grek). Kot lodhi gojën i shkreti Papa Llambro, për t’ia mbushur mendjen zotërisë Apostolidhis, se në Korçë nuk kishte asnjë grek tjetër, përveç Thanas Fotografit, edhe se vllahët, janë përhapur këtej si në Shqipëri, si dhe në tërë Ballkanin Jugor, që nga kohët e rrudhjeve të popujve të ndryshëm”.
Tentativë për vrasje
Kur kapedan Apostolidhit, nuk i kishte mbetur gjë tjetër për të thënë, hapi derën dhe doli i fyer dhe dëshpëruar nga shtëpia e Papa Llambros. “Ky njeri do plumbin”, – kishte menduar kapedani grek, madje nisi të thuhej, se kishte filluar thurja e një plani për vrasjen e tij. Ajo që përflitej, u përhap në të gjithë Korçën. Ata që e donin vërtet Papa Llambron, vrapuan t’i jepnin ndihmë.
Studiuesi Ilo Mitkë Qafëzezi, në vijim të përshkrimit të kësaj ngjarje shkruan: “Pa shkuar shumë ditë, përhapet fjala se do të vrasin Papa Llambro Ballamçin. I pari nga miqtë e tij që i dha zë për rrezikun që flitej se do ta gjente, ishte tregtari i nderuar korçar, Mitro Lamo (Skëndi), i cili iu afrua që ta merrte në shtëpi, gjer të kapërcente rreziku, po Papa Llambroja nuk deshi, duke i thënë se ai, nuk ka asnjë hasmë.
Pas këtij, i vajti edhe zonja me zotin Kennedy, që ta marrin në shtëpi të tyre, po as këtyre nuk u vajti, me arsyen se si prift, nuk mund të lërë njerëzit dhe kishën e tij”. Megjithatë andartët sërish nuk guxuan, të vinin në zbatim planin e vrasjes. Më 1914-ën, kur në Shqipëri erdhi Mbreti Wilhelm Wid, ai u gëzua shumë, pati shpresë se Shqipëria do të bëhej.
Ilo Mitkë Qafëzesi, e vijon kështu më tej këtë përshkrim: “Papa Llambroja, nisi me dërgatën korçare djalin e tij, Nikuç Ballamaçin, për t’i uruar mirëseardhjen, së bashku me një darovë me vlerë nga ana e priftit: fytyrën e Gjergj Skënderbeut, e pikturuar në vaj prej t’ et të Papa Llambros, Nastas Zograf Bullamaçi, më dt. 1876”. Tashmë ishte duke shkuar drejt andartëve. që e prisnin te pragu i shtëpisë. Fotografia e Dhespot Fotit Ballamaçi, shkoi drejt tyre. Andartët, mezi e kishin pritur atë çast.
Banda kryesohej nga i ashtuquajturi; “Kapedan” Nikos Thrakas. Nisën ta kontrollonin nëpër xhepa. Ata nuk kishin qenë gjë tjetër, veçse një tufë rrjepacakësh të ardhur nga Greqia. Vetëquheshin “kapedanë”. Kur në xhepat e Papa Llambros, u gjet një çelës, ngazëllimi i tyre kaloi çdo cak. Kapedan Thrakas, rrëmbeu çelësin dhe i shoqëruar nga disa andartë, hynë në shtëpinë e Papa Llambros. Kontrolluan gjithçka, edhe sirtarin ku Ballamaçi mbante kursimet e veta dhe morën prej andej, gjithçka gjetën.
Në vend të të hollave, i lanë fotografinë e Dhespot Fotit, si për t’i treguar se nuk ishin një tufë vjedhësish të rëndomtë, që përlyheshin për 5 qindarka, por sepse po hakmerreshin për vrasjen e Dhespot Fotit më 1906. Në të vërtetë, mes Dhespot Fotit dhe patriotëve të Korçës, armiqësia ishte thelluar prej kohësh. Foti dëshironte me çdo kusht, përçarjen e shqiptarëve. Pikërisht në këtë kohë nga ana e tij, u përgatit vrasja e Spiro Vani Kosturit. Patriotët shqiptarë, u hakmorën duke vrarë Dhespotin në fshatin Bradvicë të Korçës, teksa tentonte të merrte takim me andartët.
Vrasja e Papa Llambro Ballamaçit
Pastaj u kthyen përsëri te Papa Llambro Ballamaçi. U turrën sipër tij dhe nisën ta qëllonin me bajonetat e armëve. Gjaku mbuloi gjithë trupin e Papa Llambros. Binte dhe ngrihej, vdiste dhe atyre u dukej sikur po ngjallej përsëri. Po e çonin, drejt bregut të Shëndëllisë. Gjithçka që po ndodhte, banorët e mëhallës po e shihnin me tmerr nga dritaret e shtëpive. Askush nuk guxoi ta ndihmonte. Ata ishin të gatshëm të vrisnin këdo, edhe për një gjysmë fjale.
Lotonin në heshtje dhe luteshin për Papa Llambron. Ai mundi të mbërrinte te bregu i Shëndëllisë, atje u këput dhe ra për të mos u kthyer më kurrë në shtëpinë e tij. Po atë ditë, andartët ekzekutuan edhe vëllain e tij, Sotir Ballamaçin. Pas tyre ekzekutuan Vasil Tallabakun dhe Vangjel Balojanën. Pastaj shkuan të merrnin Vasil Facen, por ai, kur pa andartët që po vinin drejt shtëpisë së tij, vrau veten. I kishte parë nga dritaret e shtëpisë, të gjitha torturat që hoqën bashkëqytetarët e tij. Ditën e pesë të luftimeve, e ashtuquajtura “Kryengritje e Vorioepirit”, u thye.
Kishin mbërritur çetat shqiptare. I pari mbërriti kapedan Kajua. Pas tij erdhën Agush Çaushi nga Starova e Pogradecit, Gani Butka, Zalo Prodani dhe Hysen Pirgu. Andartët të mbetur të rrethuar, pa asnjë shpresë shpëtimi, nisën të dilnin me duart lart e, duke kërkuar mëshirë. U dhimbsej jeta. Po atë ditë u ngrit dhe një komision nën drejtimin e prefektit Pandeli Vangjeli, nënprefektit Abdyl Ypi, majorit Snellen Van Vallenhofen dhe Kristo Floqit, të cilët do të gjykonin të gjithë ata që kishin vrarë njerëz të pafajshëm
Masakra
Deri atë çast askush nuk e dinte saktësisht se çfarë kishte ndodhur, sa ishte numri i të vrarëve dhe të plagosurve. Vetëm pas përfundimit të luftimeve, nisi të qartësohej gjithçka. Sipas gazetës “Koha”, (e enjte, 17 prill 1914), nga shqiptarët kishin mbetur të vrarë 26 veta, mes tyre, Papa Llambro Ballamaçi, vëllai i tij Sotiri dhe 6 vllahë të tjerë.
Të plagosurit ishin 17. Pranë qytetit të Korçës, u gjetën edhe 30 të vrarë, banorë të fshatrave, që kishin dalë në mbrojtje të Korçës. U gjetën dhe 8 gra të vrara dhe 8 të plagosura. Tre prej tyre, ishin therur, sepse njiheshin si gra me ndjenja të theksuara kombëtare. Njëra prej tyre, ishte vllahe. Këto ishin të dhënat e para, që raportonin gazetat e kohës, por numri i të vrarëve, mund të ketë qenë edhe me i madh se kaq. Por edhe pse ka ndodhur kështu, ju nuk e kishit dëgjuar ndonjëherë këtë ngjarje?!
Memorie.al