Lidhje


Ministri i Jashtëm boshnjak: Dodik bashkëpunoi me ish-pjesëtar të inteligjencës i.zraelite për shkëputje nga BeH

Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, deklaroi se ish-presidenti i entitetit Republika Sërpska (RS) i shkarkuar nga detyra, Milorad Dodik, së bashku me zyrtarë të afërt me të, kanë lidhur një kontratë lobimi me një ish-zyrtar të inteligjencës izraelite. Qëllimi i kësaj kontrate, sipas tij, është promovimi i pavarësisë së RS-së, mosmbajtja e zgjedhjeve në këtë entitet dhe mbyllja e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR).

 

Duke folur për mediat, Konakoviq tha se zyrtarë të afërt me Dodikun në RS kanë nënshkruar në shtator të vitit 2025 një kontratë me kompaninë lobuese “Dickens & Madson” në Kanada, ndërsa dokumentet përkatëse ua vuri në dispozicion gazetarëve.

 

Ai sqaroi se në krye të kësaj kompanie ndodhet izraelito-kanadezi Ari Ben-Menashe, ish-pjesëtar i inteligjencës së Izraelit dhe me origjinë nga Irani, dhe se kontrata ka vlerën e 4 milionë dollarëve.

 

Sipas Konakoviqit, në kontratë janë përcaktuar qartë objektivat e lobimit: “Janë paguar 3 milionë dollarë dhe ka mbetur edhe 1 milion për t’u paguar. Në dokument nuk gjendet firma e Dodikut, por e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. Deri më tani, Dodik i shprehte synimet e tij përmes deklaratave politike. Këtë herë gjithçka është e shkruar, e nënshkruar, e regjistruar në SHBA dhe e publikuar”.

 

Ai theksoi se objektivi kryesor i kontratës është lobimi pranë presidentit amerikan Donald Trump, me synimin që Republika Sërpska të shkëputet nga Bosnjë dhe Hercegovina dhe të shpallet e pavarur.

 

Në dokument, sipas ministrit, përfshihen gjithashtu plane për mosmbajtjen e zgjedhjeve në RS, mbylljen e OHR-së dhe ndërmarrjen e hapave për t’i dhënë fund mandatit të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Christian Schmidt. Kontrata, tha ai, është nënshkruar në emër të RS-së nga Mlladen Filipoviq.

 

Konakoviq shtoi se në kontratë përmendet edhe përpjekja për të organizuar një takim me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, dhe u bëri thirrje institucioneve shtetërore që të veprojnë lidhur me këtë çështje.

 

Dodik kishte vizituar Izraelin më 29 janar dhe SHBA-në më 7 shkurt, ku në të dyja vizitat kishte ngritur publikisht çështjen e pavarësisë së RS-së.

 

– Retorika separatiste e Dodikut dhe shkarkimi

 

Dodik, i cili shpesh është në qendër të vëmendjes për retorikën e tij separatiste në Bosnjë dhe Hercegovinë, kishte deklaruar se nuk e njeh Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), e themeluar nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit që i dha fund luftës së viteve 1992–1995, dhe as Përfaqësuesin e Lartë Christian Schmidt.

 

Nën udhëheqjen e Dodikut, Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska (NSRS) vendosi në qershor 2023 të mos i publikojë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë Schmidt në Gazetën Zyrtare të entitetit.

 

Schmidt, i cili ka autoritetin të miratojë legjislacion kur është e nevojshme, i hodhi poshtë hapat separatiste të Dodikut dhe i anuloi vendimet e marra nga NSRS-ja.

 

Pasi Dodik vazhdoi qëndrimin e tij separatist, duke deklaruar se Republika Sërpska do të “shkëputet nga Bosnjë dhe Hercegovina”, ndaj tij u ngrit një aktakuzë për “mosrespektim të vendimeve të OHR-së” dhe u kërkua dënim me burg.

 

Në kuadër të procesit gjyqësor që filloi në dhjetor të vitit 2023, Dodik në shkurt të vitit të kaluar u dënua me një vit burg, të cilin Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës e zëvendësoi me gjobë, dhe me një ndalim politik gjashtëvjeçar.

 

Më pas, Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës e shkarkoi unanimisht Dodikun nga posti i presidentit të RS-së./AA

XS
SM
MD
LG