“Alexey Navalny u vra me helm nga bretkosat tropikale”
Pesë shtete evropiane: Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Franca, Gjermania dhe Holanda, deklaruan se opozitari rus Alexey Navalny, i cili vdiq dy vjet më parë, është vrarë në burg me një toksinë vdekjeprurëse që gjendet tek bretkosat helmuese të Amerikës së Jugut.
Sipas një deklarate të përbashkët, analizat e mostrave të marra nga trupi i Navalnyt “kanë konfirmuar përfundimisht praninë e epibatidinës”, një substancë që, sipas tyre, nuk gjendet natyrshëm në Rusi. Vendet nënshkruese theksuan se Moska “kishte mjetet, motivin dhe mundësinë” për ta administruar këtë helm ndërsa ai mbahej në një koloni penale në veri të Rrethit Arktik, duke shtuar se “vetëm shteti rus kishte kombinimin e mjeteve, motivit dhe shpërfilljes së ligjit ndërkombëtar” për të kontribuar në vdekjen e tij.
Zyrtarët rusë kanë mohuar vazhdimisht përgjegjësinë për vdekjen e Navalnyt. Agjencia ruse TASS citoi zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, e cila e hodhi poshtë pretendimin për helm nga bretkosat si “propagandë”. Ambasada ruse në Londër i quajti gjetjet “një spektakël politik”, duke pretenduar se, ashtu si në rastin e Sergei Skripal, ka “akuza të zhurmshme, histeri mediatike dhe zero prova”, ndërsa qëllimi, sipas saj, është ringjallja e ndjenjave anti-ruse në shoqëritë perëndimore.
Njoftimi u bë gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku në vitin 2024 ishte shpallur edhe lajmi për vdekjen e Navalnyt. Në atë kohë, bashkëshortja e tij, Yulia Navalnaya, doli në skenë e përlotur dhe mori duartrokitje në këmbë. Duke folur sërish në Mynih këtë të shtunë, ajo tha se që nga dita e parë kishte qenë e bindur se burri i saj ishte helmuar, por tani, sipas saj, ka prova. Në një postim në rrjetin social X, ajo akuzoi drejtpërdrejt presidentin rus Vladimir Putin, duke deklaruar se ai duhet të mbahet përgjegjës për të gjitha krimet e tij.
Kur Navalny vdiq, shërbimi rus i burgjeve deklaroi se ai ishte ndier keq pas një shëtitjeje dhe kishte humbur ndjenjat pothuajse menjëherë. Ai ishte burgosur në një koloni penale në Arktik pasi u kthye në Rusi në vitin 2021 nga Gjermania, ku ishte trajtuar pas helmimit me agjentin nervor Novichok. Një hetim i përbashkët i CNN dhe grupit investigativ Bellingcat kishte implikuar Shërbimin Federal të Sigurisë ruse (FSB) në atë helmim, duke pretenduar se një njësi elitare e specializuar në agjentë nervorë e kishte ndjekur Navalnyn për më shumë se tre vite. Edhe atëherë Moska mohoi përfshirjen, ndërsa Putin deklaroi se, nëse shërbimet ruse do të kishin dashur ta vrisnin, “do ta kishin përfunduar punën”.
Navalny, i cili organizoi protesta kundër qeverisë dhe përdori blogun e tij dhe rrjetet sociale për të denoncuar korrupsionin në Kremlin dhe në bizneset ruse, konsiderohej një nga kërcënimet më serioze politike për Putinin para vdekjes së tij. Në një intervistë të vitit 2018, ai kishte deklaruar se ishte i vetëdijshëm për rreziqet, por nuk kishte frikë dhe nuk do të hiqte dorë nga vendi i tij, nga të drejtat civile dhe nga idealet që ndante me mbështetësit e tij.
Në Mynih, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u pyet nëse kishte frikë se Putini mund të përdorte toksina të ngjashme kundër tij. Ai u përgjigj se nuk mendon për veten, duke theksuar se Ukraina ka humbur tashmë shumë njerëz dhe se ai është vetëm një nga shumë qytetarët që vazhdojnë të luftojnë, duke shtuar se nuk mendon për helmet apo toksinat që, sipas tij, Putini ka ose ka pasur në dispozicion./lapsi